Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me vendimmarrjen socialiste për organizimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Bardhi cilësoi se organizimi i punës parlamentare është detyrë e përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës, teksa u shpreh se PS-ja “tregon frymën autoritare që Rama ka instaluar në Shqipëri”.
“I kemi bërë me dije zotit Peleshi dhe kryetarit të grupit parlamentar të mazhorancës se për opozitën është e papranueshme që në Asamblenë e PS të njoftohet mbi organizimin e Kuvendit të Shqipërisë. Këto janë mekanizma pune të përbashkëta të mazhorancës dhe opozitës. Si në cdo vend demokratik organizimi duhet të ishte produkt i përbashkët. Fakti i prezantimit të këtyre ndryshimeve në Asamblenë e PS, fakti i bërë sot i kryer me caktimin e kryetarëve dhe zv.kryetareve të PS tregon frymën autoritare që Rama ka instaluar në Shqipëri“, tha Bardhi.
Më tej, Bardhi u ndal tek shkrirja e Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian. Demokrati tha se opozita u përjashtua nga procesi i integrimit evropian me këtë hap të ndërmarrë.
“Së dyti kemi sqaruar se me veprimin e shkrirjes së Komisionit të Integrimit, mekanizmi që kishte në dorë opozita për të luajtur rolin konstruktiv dhe për të thënë konsensus në procesin e integrimit në këtë moment zërohet. Qëndrimi se nuk kemi shkrirë komisionin e integrimit, por të jashtëm, në fakt pasqyron atë që kemi thënë, vullnetin e mazhorancës për të përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit evropian“, tha ai.
Sakaq, Bardhi u shpreh se socialistët argumentuan këtë veprim se kanë ndjekur organizimin e Bundestagut gjerman, teksa shton se ky organizim ka edhe komision të jashtëm, por dhe atë të çështjeve evropiane.
“Na u soll si argument se kemi ndjekur modelin e organizimit të Bundestagut gjerman. Cilido që njeh organizimin e komisioneve në Bundestag, e dinë që aty ka edhe komision të jashtëm, ka edhe komision të cështjeve evropiane. Grupi Parlamentar i PD i ka kërkuar institucioneve të Kuvendit të bëjë një studim si janë të organizuara komisionet parlamentar në rajon dhe si janë të organizuara komisionet në disa prej vendeve anëtarë të BE. Sipas studimit të vetë kuvendit, në të gjitha vendet ka edhe komision të integrimit evropian, ka edhe komision për punët e jashtme. Shqipëria bëhet i pari vend që jo thjesht përjashton opozitën nga procesi i integrimit, por i pari vend që nuk ka një komision të dedikuar për integrimin evropian”, tha Bardhi.