Disa detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i policisë Shkodër për arrestimin e shtetasit Bajram Bregu pak ditë më parë.
Ky shtetas sipas policisë dyshohet se gjatë ndjekjes nga një patrullë e “Shqiponjave” ka qëlluar në ajër me qëllim kanosjen e uniformave blu dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.
Në këtë operacion policia arrestoi shtetasin Ervis Baba 43 vjeç pasi ishte drejtuesi i automjetit ku ndodhej Bajram Bregu. I arrestuari bashkë me një 17 vjeçar nuk iu bind urdhrit të policisë për t’u ndaluar dhe shtoi shpejtësinë e makinës.
Dyshohet se në një rrugicë në lagjen “Kiras” shtetasi Bajram Bregu ka zbritur nga ky automjet dhe duke vrapuar ka qëlluar një herë në ajër me pistoletë.
Pas pak minutash policia e Shkodrës rrethoi zonën, por i dyshuari arriti që të arratisej duke i shpëtuar arrestimit të policisë.
Gjatë marrjes në pyetje 43 vjeçari, Ervis Baba ka mohuar se ka njohje me Bajram Bregun. Ai shprehet se nuk e ka idenë se kush ka qenë në automjetin e tij.
Shtetasi i prangosur i tha policisë së duke ecur në rrugë një person i ka nxjerrë dorën rastësisht dhe se ka ndaluar duke e marrë në automjet por sipas tij nuk e ka idenë se kush është personi që mori në makinën e tij duke thënë se nuk e di nëse ishte Bajram Bregu apo dikush tjetër.
“Një person më nxori dorën në rrugë teksa po ecja me makinë. U ndala dhe e mora por unë nuk e njoh se kush ishte. Nuk e kam idenë se kush është ai person pasi nuk kam asnjë lidhje me të. Thjeshtë e mora rastësisht teksa po ecja me makinë”, mësohet të ketë thënë 43-vjeçari Baba për policinë e Shkodrës.
Ndërkohë shtetasi tjetër 17 vjeç po ashtu nuk ka dhënë asnjë detaj për policinë e Shkodrës duke patur një heshtje totale.
Policia e Shkodrës në atë operacion sekuestroi gëzhojën e plumbit me të cilën dyshohet se ka qëlluar Bajram Bregu ndërsa sekuestroi edhe një pistoletë me dollap që u gjet afër vendit të ngjarjes.
Pavarësisht kësaj gëzhoja nuk korrespondon me pistoletën e gjetur duke shtuar dyshimet se Bajram Bregu ka patur edhe një pistoletë tjetër prej të cilës ka qëlluar dhe e ka marrë me vete gjatë arratisjes.
