35f86494 77cd 4358 a0c3 7cc0796cc646

Më datë 31 maj 2025, në ambientet e hotelit “Hilton Garden” në Tiranë, në një atmosferë entuziaste dhe me pjesëmarrje të gjerë, Shoqëria e Kursim-Kreditit “FED Invest” zhvilloi me sukses Asamblenë e Përgjithshme Vjetore. Asambleja është autoriteti më i lartë vendimmarrës dhe demokratik i FED Invest, ku anëtarët ushtrojnë të drejtën e votës sipas parimit “një anëtar, një votë”. Ky takim, i dymbëdhjeti me radhë, shënoi një tjetër gur themeli në historinë 33-vjeçare të institucionit tonë si kooperativa financiare më e madhe dhe më e konsoliduar në vend, me mbi 97 mijë anëtarë dhe me 58 degë të shpërndara në të gjithë Shqipërinë.

Kjo Asamble përmbylli ciklin e Mbledhjeve të Përgjithshme Vjetore në të gjitha Njësitë Bazë/Grup, ku anëtarësia u njoh me aktivitetin dhe arritjet e vitit 2024, si dhe me objektivat për vitin 2025. Delegatë nga e gjithë Shqipëria, përfaqësues të njësive bazë/grup, u mblodhën në këtë forum për të reflektuar mbi rrugëtimin e vitit që lamë pas, për të vlerësuar arritjet, për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar mbi sfidat dhe zgjidhjet, si dhe për të projektuar së bashku objektivat ambicioze të FED Invest për vitin 2025.

Në qendër të diskutimeve ishin çështje si: rritja e inovacionit dhe zgjerimi i shërbimeve digjitale, marketingu efektiv, përfshirja financiare për të gjitha segmentet dhe fuqizimi i komuniteteve lokale.

“Asambleja jonë është më shumë se një mbledhje; është një manifestim i vlerave tona të përbashkëta, i besimit dhe bashkëpunimit që na ka sjellë deri këtu,” – theksoi Kryetarja e Këshillit Drejtues të SHKK FED Invest, znj. Zana Konini, në fjalën e saj hapëse, duke falënderuar anëtarët, ekipin drejtues dhe partnerët për besimin dhe mbështetjen e pandërprerë.

Znj. Konini shtoi se, “me vizionin për financë të qëndrueshme, viti 2025 do të fokusohet në përmirësimin e ofertës sonë unike financiare, fuqizimin e kornizës së menaxhimit të riskut, thellimin e personalizimit të shërbimeve për anëtarët në çdo hap të rrugëtimit të tyre financiar dhe zgjerimin e anëtarësisë për të arritur sa më parë gurin kilometrik të 100 mijë anëtarëve”.

Z. Perlat Sulaj, Administrator i SHKK FED Invest, u shpreh se “gjatë vitit që kaloi, FED Invest realizoi me sukses një sërë aktivitetesh institucionale për rritjen e kapaciteteve, zhvilloi fushata marketingu dhe promocioni që kanë forcuar më tej markën e FED Invest në treg, si dhe në komunitetin e institucioneve financiare dhe të donatorëve ndërkombëtarë”. Ai shtoi: “Kemi vazhduar të konsolidojmë marrëdhëniet me partnerët e huaj dhe kemi nisur projekte të reja që do të vijojnë të zbatohen edhe gjatë vitit 2025”.

Z. Behar Gjoni, Drejtor Ekzekutiv dhe njëherazi Zëvendës Administrator i FED Invest, theksoi se “institucioni ynë i mikrofinancës synon të jetë porta kryesore për sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm, si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane, për të marrë shërbime financiare, duke kontribuar në rritjen ekonomike përmes fuqizimit të fermerëve, të rinjve, grave dhe aktorëve të zinxhirit të vlerës”.

Ai nënvizoi se në vitin 2024, portofoli i kredive u rrit me 8.2%, duke arritur vlerën 6.65 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat operacionale u rritën me 8.8%. Rritja e kredidhënies ka ardhur kryesisht nga financimi i aktiviteteve mikro të konsoliduara dhe SME-ve, me një rritje prej 16%. Sektori i bujqësisë ka dominuar rritjen e portofolit të kredisë.

Sipas tij, janë disbursuar 4,185 kredi të reja me vlerë 3.16 miliardë lekë, kryesisht në sektorët e bujqësisë, blegtorisë dhe shërbimeve. Produkti mikro ka zënë 68% të totalit të kredisë së disbursuar. Në fund të vitit 2024, portofoli i depozitave arriti në 5.5 miliardë lekë (rreth 55 milionë euro), me një rritje prej 3% krahasuar me një vit më parë, ndërsa niveli i kredive me probleme zbriti në 6.1%.

FED Invest mbështet financiarisht një gamë të gjerë individësh dhe biznesesh të vogla e të mesme, me fokus në krijimin e vendeve të reja të punës, ngushtimin e boshllëqeve gjinore në sipërmarrje dhe ofrimin e shërbimeve financiare të qëndrueshme.

Asambleja vlerësoi lart punën e Komitetit të Kontrollit dhe të Komiteteve “Anëtari në Qendër” dhe “Ekipi i Opinionistëve”. Ajo ritheksoi rolin kyç të Qendrës ABA si katalizator për ekspertizën, informacionin dhe njohuritë në agrobiznes dhe përfshirjen e grupeve vulnerabël në financë, si dhe në ngritjen e kapaciteteve.

Gjithashtu, Asambleja rikonfirmoi angazhimin për të thelluar bashkëpunimet me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të rritjes së kapaciteteve, diversifikimit të burimeve të financimit dhe aplikimit të praktikave moderne të bujqësisë së qëndrueshme dhe digjitalizimit, gjithmonë në shërbim të anëtarëve.

Në përfundim të punimeve, u miratuan vendime të rëndësishme sipas detyrimeve ligjore dhe statutore, si dhe u përcaktuan objektivat strategjikë për të ardhmen e FED Invest.

Vendimet e marra në këtë Asamble përcaktojnë qartë një drejtim të guximshëm përpara: zhvillim të qëndrueshëm, risi teknologjike dhe angazhim të pandalshëm për mirëqenien financiare të çdo anëtari.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights