Shtetet e Bashkuara vendosen veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndaj një projekt-rezolute që kërkonte armëpushim të menjëhershëm ,të përhershëm dhe pa kushte në Gaza. Gjithashtu kjo projektrezolute parashikonte që Izraeli të hiqte të gjitha kufizimet mbi dorëzimet e ndihmave në enklavën palestineze e lirimin e menjëhershëm, të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Kjo është hera e gjashtë që SHBA-ja vendon veton ndaj një rezolutë me këtë përmbajtje që nga fillimi i ofensivës izraelitë në Gaza në tetor të vitit 2023. Nga 15 anëtarët e Këshillit , shumica votuan pro përkatësisht 14 anëtarë.
Përfaqësuesja e SHBA ne OKB, Morgan Ortagus, tha se teksti nuk dënonte mjaftueshëm Hamasin dhe nuk e njihte të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
“Vota kundër e SHBA-se ndaj kësaj rezolutë nuk është surprizë. Ajo nuk dënon Hamasin dhe nuk njeh të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten. Gjithashtu legjitimon raportet që favorizojnë Hamasin. Anëtarët e Këshillit e injoruan faktin se SHBA e bëri të qarte se kjo rezolutë është e papranueshme”, tha Përfaqësuese e SHBA ne OKB- Morgan Ortagus.
Përfaqësuesi i Përhershëm i Shtetit të Palestinës në Kombet e Bashkuara u shpreh se situata në Gaza është alarmante .
“Kjo projektrezolutë përfaqëson minimumin që dikton humanizmi, ligjshmëria dhe morali . Është për të ardhur keq që bllokohet kjo rezolutë duke e penguar Këshillin e Sigurimit të luajë rolin e tij përballë mizorive dhe të mbrojë civilët përballë gjenocidit”, u shpreh Përfaqësuesi i Përhershëm i Shtetit të Palestinës në Kombet e Bashkuara.
Përfaqësuesit e vendeve të tjera shprehën zhgënjimin e tyre për pozicionin amerikan duke bërë thirrje për armëpushim si pasojë e krizës së rëndë humanitare në Gaza.
