Më lejoni t’ju them, situata në Ukrainë është një kaos, tha dje presidenti i SHBA-së Donald Trump gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, pikërisht kur i dërguari i posaçëm, Steve Witkoff dhe dhëndri i tij Jared Kushner ishin në Moskë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin – për të diskutuar planin e ri të përditësuar të paqes, sipas “La Repubblica”.
Deri tani, Trump nuk ka treguar vullnetin për të ushtruar presion mbi liderin e Kremlinit deri në pikën që ta detyrojë të pranojë një negociatë të ndershme.
Dhe Putini e ka kuptuar, duke sfiduar të gjithë Evropën në duel dhe duke paralajmëruar se nëse rivali i tij, Zelensky nuk i jep atë që ai pretendon në tryezën e negociatave, ai do ta marrë gjithsesi, me forcë ushtarake.
Deklarata e Trump në Shtëpinë e Bardhë erdhin ndërsa bisedimet në Kremlin ishin në vazhdim e sipër.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e quajti luftën në Ukrainë një kaos dhe një situatë që nuk ishte e lehtë për t’u zgjidhur.
“Po përpiqemi ta zgjidhim. Kam zgjidhur tetë luftëra. Kjo do të ishte e nënta dhe njerëzit tanë ndodhen në Rusi tani për të parë nëse mund ta zgjidhim. Nuk është një situatë e lehtë, më lejoni t’ju them, që është një kaos”, tha dje Trump gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë të martën.
Trump tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin më të përfshira financiarisht në luftën ruso-ukrainase.
“Po përpiqemi të shpëtojmë jetë, 25 000 deri në 30 000 njerëz në muaj, gjysma e një stadiumi të madh futbolli. Do të kem përditësime për takimin në Moskë pas kësaj mbledhjeje të kabinetit”, shtoi ai.
Bisedimet SHBA-Rusi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk patën progres, pasi Kremlini tha se nuk ishte arritur ende një kompromis mbi çështjen kyçe të territorit.
Presidenti rus Vladimir Putin u takua dje pasdite me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe të dërguarin special Steve Witkoff në Kremlin, pasi më herët sinjalizoi se forcat e tij ishin të gatshme të luftonin për të arritur luftën fillestare të Rusisë.
“Për territoret e pushtuara ukrainase, deri më tani nuk kemi arritur një kompromis, por disa zgjidhje amerikane mund të diskutohen”, tha ndihmësi i lartë presidencial, Yuri Ushakov pas takimit në Kremlin.
“Disa formulime të propozuara nuk na përshtaten dhe puna do të vazhdojë”, shtoi ai.
Në një intervistë të transmetuar dje në mbrëmje në “Fox News”, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se bisedimet me Rusinë kishin patur “njëfarë progresi” për t’i dhënë fund luftës me Ukrainën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se çdo plan duhej t’i jepte fund luftës përgjithmonë dhe jo të çonte, vetëm në një pauzë të luftimeve që filluan me ofensivën e Moskës në shkurt 2022.
Ai tha gjithashtu në një postim në media sociale se nuk do të kishte zgjidhje të thjeshta.
“Ajo që ka rëndësi është që gjithçka të jetë e drejtë dhe transparente”, tha Zelensky.
Kushner dhe Witkoff i paraqitën dje presidentit rus, Vladimir Putin, versionin e ri të planit amerikan, i cili është hartuar pasi versioni fillestar ngriti shqetësime në Kiev dhe në Evropë se i bënte shumë lëshime Moskës.
