Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione të reja ndaj Sudanit, pasi hetimet kanë zbuluar se gjatë vitit të kaluar janë përdorur armë kimike në luftën civile që vazhdon kundër forcave paraushtarake të RSF-së, Forcave të Mbështetjes së Shpejtë. Lajmi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sipas zëdhënëses Tammy Bruce, duke filluar nga data 6 Qershor, eksportet amerikane drejt Sudanit do të kufizohen dhe do të vendosen kufizime të reja në huamarrjen financiare për vendin.
Të dyja palët në konflikt, ushtria sudaneze dhe RSF-ja, janë akuzuar më parë për krime lufte, ndërkohë që BBC raporton se zyrtarët sudanezë nuk kanë reaguar ende zyrtarisht lidhur me vendimin e fundit të SHBA-ve.
Lufta e përgjakshme në Sudan ka nisur dy vite më parë, duke lënë mbi 150 mijë të vdekur. Megjithëse ushtria ka rikthyer kontrollin në kryeqytetin Khartoum, përplasjet vazhdojnë në pjesë të tjera të vendit.
Detaje të plota për armët kimike të përdorura nuk janë dhënë, por sipas një raporti të New York Times në Janar, Sudani dyshohet se ka përdorur gaz klori në dy raste, një substancë vdekjeprurëse me pasoja të dhimbshme dhe dëmtuese për shëndetin.
“SHBA-të i bëjnë thirrje qeverisë së Sudanit të ndalojë menjëherë çdo përdorim të armëve kimike dhe të respektojë detyrimet e saj sipas Konventës për Armët Kimike (CWC)”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Thuajse çdo shtet në botë, përfshirë Sudanin, e ka nënshkruar CWC-në. Sipas Shoqatës për Kontrollin e Armëve me seli në SHBA, vetëm Egjipti, Koreja e Veriut dhe Sudani i Jugut nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, ndërsa Izraeli e ka nënshkruar, por nuk e ka ratifikuar ende.
“SHBA-të mbeten të vendosura për të mbajtur përgjegjës të gjithë ata që kontribuojnë në përhapjen e armëve kimike,” shtoi Bruce.
Kjo nuk është hera e parë që SHBA vendos sanksione ndaj Sudanit. Në janar, masa ndëshkuese u morën edhe ndaj liderëve të të dyja palëve të përfshira në konflikt.