Pas deklaratës së Presidentit francez Emmanuel Macron, i cili njoftoi se Franca do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, reagimi i Shteteve të Bashkuara është i ashpër dhe tejet kritik.
Senatori amerikan Marco Rubio përmes një postimi në rrjetin “X”, shpreh refuzimin e fortë të SHBA-ve ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar si të pamatur dhe që i shërben vetëm propagandës së Hamasit dhe dëmton përpjekjet për paqe në rajon.
Rubio e përshkroi njohjen e Palestinës si “një shpullë për viktimat e sulmit terrorist të 7 tetorit”, duke nënkuptuar se kjo qasje e Francës është e papranueshme duke marrë parasysh gjithçka ka ndodhur së fundmi.
Ky moment shënon një përplasje diplomatike të rëndësishme midis dy aleatëve perëndimorë në lidhje me qasjen ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme dhe mënyrën e trajtimit të çështjes palestineze.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme, 24 korrik, Presidenti i Francës dha lajmin e bujshëm se Franca do të njohë Palestinën si shtet të pavarur gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator 2025.
Kështu, Franca bëhet shteti më i madh dhe më me ndikim në Evropë që njeh Palestinën, duke iu bashkuar mbi 140 vendeve të tjera që tashmë e kanë ndërmarrë këtë hap.
Palestinezët kërkojnë pavarësi në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Gaza, territore të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967, por qeveria izraelite vazhdon ta kundërshtojë këtë kërkesë. Ata pretendojnë se një shtet i tillë do të shpërblente grupet militante pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Izraeli aneksoi Jerusalemin Lindor menjëherë pas luftës së vitit 1967 dhe e konsideron pjesë të kryeqytetit të tij të pandarë. Në Bregun Perëndimor, ai ka ndërtuar dhjetëra vendbanime, disa prej tyre si lagje të mëdha, ku jetojnë mbi 500 mijë kolonë hebrenj me shtetësi izraelite.
Ndërkohë, rreth 3 milionë palestinezë që jetojnë në këtë territor ndodhen nën kontroll ushtarak izraelit, ndërsa Autoriteti Palestinez ushtron kontroll të kufizuar vetëm në zonat urbane.