Image

Irani dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë raundin e tretë të negociatave bërthamore në Zvicër, ndërsa të dyja palët përsërisin preferencën për zgjidhje diplomatike, edhe pse Washingtoni ka vendosur sanksione të reja dhe po forcon prezencën ushtarake në Lindjen e Mesme.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mbërriti të mërkurën në Gjenevë dhe u takua me homologun e tij nga Omani, Badr Albusaidi, i cili po ndërmjetëson bisedimet indirekte të planifikuara për këtë të enjte.

Para nisjes, Araghchi deklaroi se një marrëveshje “e drejtë, e balancuar dhe e barabartë” është brenda mundësive, duke theksuar se Irani nuk synon një armë bërthamore dhe nuk është gati të heqë dorë nga “e drejta për përdorim paqësor të teknologjisë bërthamore”.

Negociatat zhvillohen në një klimë të thelluar mosbesimi, ku retorika nga të dyja palët lëkundet midis angazhimit diplomatik dhe kërcënimit.

Në Washington, zv. presidenti i SHBA-ve, JD Vance, akuzoi Iranin për përpjekje për të rindërtuar programin e tij bërthamor pas sulmeve amerikane mbi objektet bërthamore iraniane në qershorin e kaluar, dhe tha se Teherani duhet të marrë seriozisht kërcënimet për veprime ushtarake.

Parimi është shumë i thjeshtë: Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Nëse përpiqet të rindërtojë një të tillë, kjo krijon probleme për ne”, tha ai. “Në fakt, kemi prova se ata kanë tentuar të bëjnë pikërisht këtë.”

Ai shtoi se presidenti Donald Trump dëshiron të zgjidhë këtë problem nëpërmjet diplomacisë, por “ka edhe opsione të tjera në dispozicion”.

Nga ana tjetër, siç raporton Al Jazeera, palët duket se janë larg njëra-tjetrës mbi çështjet kryesore, duke përfshirë përplasjet mbi pasurimin e uraniumit dhe çështje jo-bërthamore, si ndihmat e huaja, raketat balistike, kapacitetet mbrojtëse dhe aktivitetet rajonale të Iranit.

Deri tani mbetet të shihet nëse angazhimi diplomatik mund të hapë rrugën për një zgjidhje përfundimtare midis Washingtonit dhe Teheranit. Deri atëherë, e vetmja gjë e sigurt është pasiguria…

Negociatat e sotme do të udhëhiqen nga përfaqësuesi special i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner. Raundi i parë u zhvillua në Oman më 6 shkurt, ndërsa i dyti në Gjenevë më 17 shkurt.

Araghchi deklaroi se palët kishin arritur një kuptim të përkohshëm mbi parimet e përgjithshme për diskutimet e mëtejshme, pa arritur ende ndonjë marrëveshje substantiale.

Sanksione të reja amerikane dhe kërcënime iraniane

Irani ka paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të provokojë kundërsulme ndaj bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ku janë të dislokuara dhjetëra mijëra trupa. Teherani gjithashtu ka kërcënuar të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, rrugën kryesore për një pjesë të konsiderueshme të furnizimit botëror me naftë.

“Nëse zgjidhni tavolinën e diplomacisë, një diplomaci që respekton dinjitetin e kombit iranian dhe interesat e ndërsjella, ne gjithashtu do të jemi aty”, ka deklaruar kryeparlamentari iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf. “Por nëse vendosni të përsërisni gabimet e së kaluarës me mashtrime, gënjeshtra dhe sulme gjatë negociatave, do të përjetoni një goditje të fortë nga kombi iranian.”

Sipas zëdhënësit të Komandës Qendrore të SHBA-ve, Tim Hawkins, Washingtoni mbetet i gatshëm të përgjigjet ndaj çdo eskalimi dhe synon të tregojë forcë për të mbrojtur trupat e tij.

SHBA-të kanë vendosur prezencën më të madhe të avionëve dhe anijeve luftarake në Lindjen e Mesme në dekada, përfshirë grupin e goditjes me aeroplanmbajtësin USS Abraham Lincoln dhe komandën e USS Gerald R. Ford, së bashku me tre shkatërrues dhe më shumë se 5 mijë trupa shtesë.

Gjithashtu, Departamenti i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 30 individëve, subjekteve dhe anijeve që dyshohet se kanë financuar programin e naftës, raketat balistike dhe prodhimin e armëve të Iranit.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha se Irani shfrytëzon sistemet financiare për të shitur naftë në mënyrë të jashtëligjshme, për të larë paratë dhe për të siguruar komponentë për armët e tij bërthamore dhe konvencionale.

Analistët presin që SHBA-të të përdorin këto masa dhe grumbullimin ushtarak si presion për të detyruar Iranin të negociojë mbi pasurimin e uraniumit dhe kufizimin e programit të raketave balistike, me premtimin për lehtësime ekonomike në këmbim të këtyre koncesioneve.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights