if (window.location.pathname === "/" || window.location.pathname === "/index.php") { setTimeout(function(){ location.reload(); }, 15000); // 15 sekonda }
Image 604

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka publikuar një sasi të madhe dokumentesh që lidhen me vrasjen e liderit të të drejtave civile Martin Luther King Jr., përfshirë edhe materiale të mbikëqyrjes së zhvilluar nga FBI ndaj tij.

Dokumentet, që përbëjnë rreth 230 mijë faqe, ishin mbajtur të mbyllura për publikun me një urdhër gjykate që nga viti 1977.

Dy nga fëmijët e mbijetuar të King, Martin Luther King III dhe Bernice King, kundërshtuan publikimin, duke e cilësuar si një përpjekje për të njollosur figurën e të atit. “Kërkojmë nga të gjithë ata që do të angazhohen me përmbajtjen e këtyre dokumenteve, ta bëjnë këtë me empati, përmbajtje dhe respekt për dhimbjen e vazhdueshme të familjes sonë,” thuhej në deklaratën e tyre të përbashkët.

Martin Luther King Jr., pastor baptist dhe ikonë e lëvizjes për të drejtat civile në SHBA, u vra në Memphis më 4 prill 1968, në moshën 39-vjeçare. James Earl Ray, një kriminel i njohur, pranoi fajësinë për vrasjen, por më pas u përpoq ta tërhiqte deklaratën, duke pretenduar se ishte viktimë e një konspiracioni. Megjithatë, dënimi i tij u mbështet vazhdimisht nga gjykatat. Ray vdiq në vitin 1998 në moshën 70-vjeçare.

Publikimi i dokumenteve ndodhi mes kritikash ndaj administratës Trump për mungesë transparence në çështje të tjera, si dosjet e lidhura me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein, i cili vdiq në qeli në vitin 2019, në një rast që u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje.

Lideri tjetër i të drejtave civile, Al Sharpton, e cilësoi publikimin si një “përpjekje të dëshpëruar për të shpërqendruar vëmendjen” nga polemikat që përfshijnë Trumpin për çështjen Epstein.

Në deklaratën e tyre, Martin III dhe Bernice King e quajtën survejimin e të atit “një fushatë të organizuar dhe të tmerrshme dezinformimi e përndjekjeje” të drejtuar nga J. Edgar Hoover dhe FBI-ja, e cila, sipas tyre, i mohoi King-ut dinjitetin dhe të drejtat themelore si qytetar privat.

Ata përmendën gjithashtu një vendim gjykate civile të vitit 1999, ku një juri gjeti se vrasja e King nuk ishte vepër e një atentatori të vetëm racist, por pjesë e një konspiracioni më të gjerë.

Publikimi i dokumenteve u bë pas një urdhri të Trump në janar për deklasifikimin e dosjeve të vrasjes së Martin Luther King Jr., si dhe atyre të ish-presidentit John F. Kennedy dhe vëllait të tij Robert F. Kennedy. Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (DNI) deklaroi se këto materiale kishin mbetur të paprekura për dekada në arkivat e agjencive federale.

Dosjet përmbajnë memo të brendshme të FBI-së dhe dokumente të CIA-s që nuk ishin bërë publike më parë, të lidhura me hetimet për vrasjen e King. Publikimi u koordinua nga FBI, Departamenti i Drejtësisë, Arkivi Kombëtar dhe CIA.

“Populli amerikan meriton përgjigje, dekada pas këtij atentati të tmerrshëm ndaj një prej figurave më të mëdha të kombit tonë,” deklaroi Prokurorja e Përgjithshme, Pamela Bondi.

Ndërkohë, jo të gjithë anëtarët e familjes King ishin kundër. Alveda King, e cila e quajti liderin e ndjerë “xhaxhai im”, u shpreh: “Jam mirënjohëse ndaj presidentit Trump dhe Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare Gabbard për përmbushjen e premtimit të tyre për transparencë. Ky është një hap historik drejt së vërtetës.”

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights