Qeveria liberale-konservatore çeke ka miratuar një projekt-marrëveshjeje të negociuar, që do të thellonte bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes midis Pragës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në kushtet e mjedisit të paqëndrueshëm ndërkombëtar, ky është një hap i rëndësishëm për të forcuar sigurinë e vendit”, tha kryeministri çek, Petr Fiala.
Republika Çeke është anëtare e NATO-s që nga viti 1999, dhe është më pak se 400 kilometra nga Ukraina, e cila ka luftuar kundër pushtimit rus për më shumë se një vit.
Marrëveshja, e njohur si Marrëveshja e Bashkëpunimit të Mbrojtjes (DCA), duhet të nënshkruhet nga ministrat e Mbrojtjes të të dy vendeve.
Kjo do të pasohet nga ratifikimi nga të dy dhomat e parlamentit, në Pragë.
Traktati dypalësh rregullon kushtet ligjore për praninë e forcave amerikane në Republikën Çeke, për të marrë pjesë në stërvitje.
Stacionimi i përhershëm i trupave luftarake amerikane nuk është parashikuar ende, dhe do të ishte i mundur vetëm pas miratimit të marrëveshjes nga qeveria dhe parlamenti.
Kabineti vendosi gjithashtu të përfshinte Patriarkun e Kishës Ortodokse Ruse, Kirill, në listën kombëtare të sanksioneve.
BE-ja është përmbajtur deri më tani nga marrja e masave ndëshkuese kundër kreut të kishës për shkak të kundërshtimit të Hungarisë.
Kirill konsiderohet një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin