Një agjent i Emigracionit dhe Doganave (ICE) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qëlluar dhe vrarë një burrë në zonën e Çikagos të premten, gjatë një përpjekjeje për ta arrestuar, thanë zyrtarët e Departamentit për Sigurinë Kombëtare dhe autoritetet lokale.
Incidenti ndodhi kur Silverio Villegas-Gonzalez, 38 vjeç, i cili ndodhej në mënyrë të paligjshme në SHBA, drejtoi makinën e tij drejt agjentëve gjatë një kontrolli të automjetit. Agjenti qëlloi pasi tha se ishte tërhequr nga automjeti. Vetë ai mbeti i plagosur dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar.
Villegas-Gonzalez ishte një kuzhinier me origjinë nga Meksika, Identitetin e tij e konfirmoi Konsullata e Përgjithshme e Meksikës në Çikago, e cila po komunikon me familjen e viktimës dhe kërkoi nga ICE-ja informacion shtesë mbi ngjarjen. DHS-ja tha se agjenti përdori “forcë të përshtatshme” dhe se viktima kishte një histori të drejtimit të rrezikshëm.
Incidenti ka shkaktuar reagime të forta nga zyrtarët lokalë dhe përfaqësuesit e komunitetit. Zyra e Illinois dhe përfaqësuesit e Çikagos e dënuan mënyrën e veprimit të ICE, duke theksuar se kjo rrezikon të gjithë komunitetin.
Incidenti ndodhi në periferi të Franklin Park, ndërsa operacioni i ICE është pjesë e fushatës së qeverisë federale kundër emigracionit të paligjshëm në Illinois, e quajtur “Operation Midway Blitz”.
Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se mund të dërgojë trupa të Gardës Kombëtare dhe agjentë federalë në qytete të udhëhequra nga demokratët për të luftuar kriminalitetin dhe emigracionin e paligjshëm, duke shkaktuar protesta në Çikago dhe rrethinat e saj.