Foto2 696x507

Avokati i Popullit, Endri Shabani priti në një takim zyrtar kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, për të rikonfirmuar mbështetjen e ndërsjellë në ruajtjen e standardeve demokratike.

Ambasadori Tarran e vlerësoi institucionin si një aleat kryesor në mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve në Shqipëri.

Një nga prioritetet e përbashkëta të diskutuara ishte hartimi i ligjit të ri për Avokatin e Popullit, një proces që po mbështetet nga OSBE dhe ODIHR. Ky ligj synon të zgjerojë mandatin e institucionit duke përfshirë edhe sektorin privat, çka do t’i japë Avokatit të Popullit kompetenca të reja në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

Për t’u ofruar qytetarëve një shërbim më efikas, u prezantua vizioni i ri i modernizimit përmes inovacionit. Qëllimi është përdorimi i teknologjisë për të reduktuar burokracinë dhe për t’i dhënë fund vonesave në trajtimin e ankesave, duke nxitur veçanërisht të rinjtë që të kërkojnë të drejtat e tyre përballë administratës publike.

“Ne duam që më shumë të rinj ta shfrytëzojnë infrastrukturën tonë për të kërkuar të drejtat e tyre në përballjen me administratën publike. Sfidë mbetet vonesat tona në trajtimin e ankesave prandaj po punojmë për të implementuar teknologji të reja”, tha Shabani.

Gjatë takimit u trajtua edhe e drejta e votës, duke u nisur nga interesi i OSBE-së për personat në vuajtje të dënimit, por duke e zgjeruar domosdoshmërinë e lehtësirave edhe për grupimet e tjera shoqërore.

Avokati i Popullit kërkoi zgjidhje racionale përmes aplikimit të standardeve të Bashkimit Evropian, çka do t’i lejonte studentët dhe profesionistët të votonin në qytetet ku jetojnë dhe punojnë, pa qenë nevoja të udhëtojnë drejt qendrave të regjistrimit.

“Studentët që jetojnë në qytetet universitare, apo profesionistë të tjerë që ndodhen për shkak të detyrës larg qendrës së tyre të votimit, duhet të lejohen të votojnë konform rregullave të qarta, ashtu siç ndodh ne vendet e Bashkimit Evropian”, tha Avokati i Popullit.

Në përfundim, biseda u ndal te thellimi i bashkëpunimit rajonal. Përmes rolit që Shabani ka si president i Organizatës së  Avokatëve të Popujve të Mesdheut, palët diskutuan për aktivitete të përbashkëta që synojnë fuqizimin e rrjetit ballkanik për mbrojtjen e të drejtave të shtetasve.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights