Qeveria serbe ka miratuar një vendim për themelimin e një trupi koordinues për të garantuar furnizimet me gaz dhe naftë, pas vendosjes së sanksioneve amerikane në Industrinë e Naftës së Serbisë, për shkak të pronësisë ruse.
Sipas REL, trupi koordinativ do të drejtojë punën dhe aktivitetet e grupeve punuese, vëzhgimin e aktiviteteve të Thesarit amerikan, dhe negociata dhe marrëveshje për furnizimin e Serbisë me gaz natyror të Rusisë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar më herët se pret që SHBA-ja t’i vendosë sanksione Industrisë së Naftës së Serbisë më 10 ose 13 janar.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill deklaroi më 23 dhjetor 2024 se nuk është në dijeni për vendosje sanksionesh, por që ka shqetësime se Industria e Naftës së Serbisë në duart ruse është duke ndihmuar në financim të luftës së Moskës në Ukrainë. Pavarësisht përpjekjeve për t’i diversifikuar burimet e funrizimit Serbia vazhdon të varet në masë të madhe nga burimet ruse të energjisë, dhe kjo varësi ka qenë një prej argumenteve kryesore të Beogradit zyrtar për të mos vendosur sanksione ndaj Moskës, me gjithë insistimin e Perëndimit.
