Screenshot 3 12 696x418

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se prioriteti në vitet e ardhshme do të jetë forcimi i stabilitetit financiar dhe përafrimi i plotë me kuadrin rregullator të Bashkimit Europian.

Në fjalën e tij në konferencën e zhvilluar për 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Sejko theksoi se politika monetare do të mbështetet në regjimin e inflacionit të shënjestruar dhe kursin e lirë të këmbimit, të cilat kanë garantuar stabilitetin e çmimeve dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë edhe në periudha goditjesh të jashtme.

Ai paralajmëroi se digjitalizimi dhe zhvillimet e reja teknologjike në financë, si asetet digjitale dhe përdorimi i teknologjisë blockchain, do të kërkojnë kujdes të shtuar nga autoritetet rregullatore për të balancuar përfitimet me rreziqet e reja për stabilitetin financiar.

Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë po punon për adoptimin e instrumenteve makroprudenciale dhe forcimin e rrjeteve të sigurisë, duke e konsideruar sektorin bankar si shtyllën kryesore të sistemit financiar dhe burimin kryesor të financimit të ekonomisë.

Sejko vlerësoi se, pavarësisht pasigurive që sjellin tensionet gjeopolitike dhe fragmentimi i tregtisë ndërkombëtare, Shqipëria ka përpara një mundësi të madhe zhvillimi përmes procesit të integrimit europian. Ai nënvizoi se Banka e Shqipërisë luan një rol aktiv në këtë proces, duke drejtuar punën për disa kapituj të acquis të BE-së dhe duke kontribuar në përafrimin e plotë të sistemit financiar me atë europian.

Një nga arritjet më të rëndësishme të fundit, sipas Sejkos, është anëtarësimi i Shqipërisë në zonën unike të pagesave në euro (SEPA), që lehtëson ndjeshëm pagesat ndërkufitare dhe forcon lidhjet ekonomike me Bashkimin Europian. Ai theksoi se përpjekjet e bankës do të përqendrohen në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, forcimin e institucioneve financiare dhe përgatitjen e vendit për fazat e reja të integrimit.

“Pavarësia, profesionalizmi dhe transparenca do të mbeten themelet e politikave tona, ndërsa integrimi europian është drejtimi që do të udhëheqë zhvillimin financiar të Shqipërisë”, deklaroi Sejko.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights