Gert Bushati është lënë me masën “arrest me burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, i dyshuar në vrasjen e Hysni Ymerit. Bushati ka pranuar se është personi që ka vendosur sasinë e eksplozivit me datë 27 dhjetor në panelin e matësve elektrik e cila shpërtheu dy ditë më pas duke i marrë jetën 67-vjeçarit. Në deklaratën e tij në polici autori i dyshuar Bushati ka thënë se tre shtetasit e tjerë të arrestuar Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi janë personat që e kanë kontaktuar për të vendosur sasinë e tritolit.
Pavarësisht kësaj policia ka sekuestruar telefona dhe ka përgjime si dhe një sërë provash të tjera që mund të implikojnë edhe këta tre persona. Personi që vendosi tritolin, Gert Bushati ka deklaruar se nuk ka patur dijeni se sasinë e eksplozivit do ta vendoste për të vrarë ndonjë person. Ai është shprehur se i është thënë nga porositësit se do të jetë vetëm për të trembur dikë dhe jo për të vrarë. “Kur kam mësuar se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam patur dijeni për vrasje vetëm për të trembur dikë. Shtetasit Gjergj Zefi, Edison Hasaj dhe Ergys Ibrahimi më kanë kontaktuar për këtë punë dhe e kam pranuar. Tritolin e kam vënë me datë 27 dhjetor, por pa e ditur se bëhej fjalë për vrasje”. Gert Bushati ka deklaruar gjithashtu se nuk e ka idenë cila është arsyeja e vendosjes së tritolit dhe se roli i tij ka qenë vetëm për ta vendosur duke mos patur më shumë informacion rreth kësaj çështje. Sipas burimeve hetimore disa kohë më përpara sasia e eksplozivit është vënë edhe një herë tjetër por herën e parë nuk ka shpërthyer. Në këto kushte Gert Bushati e ka vendosur herën e dytë me 27 dhjetor dhe pas dy ditësh eksplozivi shpërtheu duke vrarë shtetasin Hysni Ymeri. Fillimisht është zhvilluar seanca për shtetasit Ergys Ibrahimi, Gjergj Zefi dhe Edison Hasaj. Ndërkohë për Gert Bushatin që ka pranuar autorësinë e vendosjes së eksplozivit, masa e sigurisë u zhvillua veçmas.
Vëllai i viktimës vite më parë, në 1995 është dyshuar për një vrasje të shtetasit Shefqet Çekorja. Ndërkohë në 2017 një kushëri i tij, shtetasi Dritan Ymeri është i dyshuar si autor i vrasjes së mjekut Ilir Aliaj por u arratis jashtë Shqipërisë pas ngjarjes. Policia dhe prokuroria janë duke hetuar këto dy pista por edhe çdo pistë tjetër të mundshme sepse është ende e paqartë nëse vrasja e Hysni Ymerit lidhet me dy ngjarjet e sipërmendura apo lidhet me ndonjë konflikt tjetër. Pak ditë përpara vrasjes, në Shqipëri mbërriti djali i Hysni Ymerit i cili jeton jashtë vendit dhe ndodhej në spital me nënën e tij e cila po lufton për jetën ndaj sëmundjes së rëndë.
