Çështja e pronësisë së kompanisë së naftës NIS është kthyer në një pikë kyçe në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë, pas sanksioneve të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj sektorit rus të naftës. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka konfirmuar se Moska po mban kontakte të ngushta me “miqtë serbë” për këtë çështje.
Në të njëjtën kohë, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka zhvilluar një takim me ambasadorin rus në Serbi, Bocan-Harçenko, ku ka kërkuar fillimin e konsultimeve mbi funksionimin e NIS-it në të ardhmen. “Qëllimi është gjetja e një zgjidhjeje që të jetë në interes të ndërsjellë, duke ruajtur partneritetin dhe miqësinë mes Serbisë dhe Federatës Ruse,” shkroi Vuçiç në rrjetet sociale.
Kjo situatë vjen pas një afati 45-ditor të vendosur nga SHBA për largimin e Gazprom Neft nga pronësia e NIS-it, për shkak të sanksioneve kundër kompanive ruse të energjisë. Ky afat përfshin edhe ndalimin e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja mes Serbisë dhe Rusisë. Aktualisht, Gazprom Neft zotëron 50% të aksioneve të NIS-it, ndërsa Gazprom ka 6.15%. Qeveria serbe dhe aksionerët e vegjël përbëjnë pjesën tjetër të pronësisë.
Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua më 10 janar për shkak të lidhjeve të saj me Gazprom-in, duke rënë në kategorinë e “rrezikut sekondar”. Sipas zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Richard Verma, Serbia nuk do të përballet me pasoja ekonomike për aq kohë sa pronësia ruse largohet nga NIS.
Kjo situatë vazhdon të jetë një sfidë e madhe për Serbinë, e cila duhet të gjejë një balancë mes presionit ndërkombëtar dhe ruajtjes së marrëdhënieve të saj me Rusinë.