Në Shkup të Maqedonisë së Veriut zhvillohet sot samiti mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos tha se mes vendeve anëtare të BE-së ka konsensus për zgjerim në të ardhmen dhe ky çast duhet të shfrytëzohet. Duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, Kos tha se nëse vazhdohet kështu, Shqipëria mund të hapë të gjithë kapitujt deri në fund të vitit.
“Ka konsensus për zgjerim shtesë në të ardhmen. Nuk ishte kështu në të kaluarën, por keni rastin që patjetër duhet të shfrytëzohet. Kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe shoh zhvillim të dukshëm. Shqipëria, i nderuar zoti kryeministër Edi Rama, hapi tre kapitur në gjashtë muajt e fundit. Ju faleminderit që ndikuat në procesin e zgjerimit. Nëse vazhdoni kështu do të mund të hapim të gjithë kapitujt këtë vit. Siç thashë dje mezi pres ta festoj hapjen e kapitullit të fundit”, tha Kos.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe Plani i Rritjes i BE-së.
Kos, në fjalën e saj tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm dhe se BE-ja do që të ndihmojë “sa më shumë të mundemi që të arrijmë qëllimet”.
“Reformat që kërkojmë prej jush nuk janë të thjeshta. Kërkojnë transformim të thellë shoqëror dhe nevojiten liderët që ta çojnë përpara këtë”, u shpreh Kos.
Ajo theksoi se transformimi nuk mund të ndodhë pa udhëheqjen e liderëve.
“Transformimi nuk mund të ndodhë nëse nuk jeni ju liderë. Ju siguroj se ja vlen dobia, prosperiteti, zhvillimi, e ardhmja për të gjithë qytetarët tuaj. Plani i zhvillimit është në duart tuaja”, tha Kos.
Sipas saj, reformat janë të domosdoshme për të përgatitur vendet për aderimin në union dhe i japin mundësinë vendeve të Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë tregun e vetëm të BE-së.
“Çdo progres kërkon fuqi politike dhe këtë e kërkoj prej jush liderë të nderuar. Kemi ardhur për t’ju ndihmuar siç duhet dhe duam t’ju shpërblejmë për punën që keni bërë deri tani”, tha ajo.
Sipas saj, plani i rritjes do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ndërtojnë rrugë, hekurudha, parqe fotovoltaike dhe infrastrukturë dixhitale.