Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se, në kushtet e motit me reshje intensive që kanë krijuar vështirësi në disa zona të vendit, ekipet e MBZHR-së janë angazhuar në terren me grupe verifikimi në të gjithë territorin, për të evidentuar dëmet dhe për të mbështetur fermerët e prekur.
Duke marrë fjalën në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, në përditësimin e situatës së krijuar nga moti i keq i ditëve të fundit, si pasojë e nivelit tejet të lartë të reshjeve të shiut, ministri Salla bëri të ditur se verifikimet po kryhen nga grupe të posaçme ku përfshihen edhe veterinerë, për evidentimin e saktë të dëmeve në blegtori.
“Ekipet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kanë qenë dhe janë në terren, duke ngritur grupe verifikimi në të gjitha zonat e prekura, me praninë e veterinerëve për të evidentuar me saktësi dëmet në blegtori. Ekspertët tanë po ofrojnë asistencë për fermerët në çdo zonë të prekur”, u shpreh Salla.
Ai theksoi se, në bashkëpunim me ekipet e Ministrisë së Mbrojtjes, janë kryer evakuime të disa fermave blegtorale të rrezikuara nga prania e ujit, si dhe është siguruar furnizim me bazë ushqimore për blegtorinë në fermat që kanë pasur nevojë emergjente.
Sipas ministrit, hidrovoret janë në gatishmëri të plotë dhe kanë funksionuar në të gjithë territorin e vendit, duke ndihmuar ndjeshëm në procesin e normalizimit të situatës. Paralelisht, po punohet për hapjen e kanaleve kulluese aty ku ka qenë e nevojshme, ndërsa 29 ekskavatorë janë në gatishmëri në nivel kombëtar dhe janë vënë në funksionim në zonat problematike me prani të ujit.
“Gjithashtu, kemi ndërhyrë në riparimin e argjinaturave në Sheqeras, Bilisht dhe Devoll dhe puna do të vijojë pa ndërprerje”, deklaroi ai.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural siguroi se institucionet përkatëse do të vijojnë monitorimin e situatës dhe mbështetjen e fermerëve deri në përballimin e plotë të pasojave të motit të keq.
“Jemi të angazhuar të kryejmë një vlerësim të saktë të dëmeve në bujqësi dhe për të gjithë të prekurit nga kjo situatë, me qëllim që të kemi një pasqyrë të plotë të gjendjes”, deklaroi ministri Salla.
