Ervin Salianji, u ka dërguar një letër nga burgu i Fierit ambasadave perëndimore në Tiranë dhe eurodeputetëve në Parlamentin Europian, anëtarë të MSA-së.
Në letër Salianji e thekson si politik, procesin dhe dënimin, edhe për faktin se gjithçka ndodhi në prag të zgjedhjeve parlamentare, kur ai ishte caktuar si i deleguar politik i PD për qarkun e rëndësishëm të Elbasanit, dhe kur vinte pas dy rezultateve pozitive, një në qarkun e Korçës dhe nga një fitore në bashkinë e Kavajës.
Letra e plotë:
Të nderuar,
Po ju shkruaj për një rast ku interesi i publikut dhe interesi i Shqipërisë është po aq i rëndësishëm dhe për vendet tuaja. Procesi i falsifikuar dhe dënimi pa ligj vetëm se denoncova një trafikant ndërkombëtar droge të dënuar në Itali me vendim të formës së prerë pas një operacioni të DEA-s! Vendim që ka krijuar një precedent të
rrezikshëm që hedh në tokë gjithçka ky vend ka mundur të arrijë me shumë veshtirësi në këto 34 vite.
Shumë prej këtyre arritjeve, edhe pse ende të brishta kanë ardhur me ndihmën tuaj, me kontributin e taksapaguesve që ju përfaqësoni. Jam i sigurt se procesi kundër meje jo për shkak të ndonjë abuzimi, nuk kam pasur kurrë në administrim fonde pubike dhe i jam bashkuar Partisë Demokratike në opozitë, nuk ka shans të ndodhë në asnjerin nga vendet tuaja të origjinës. Ndodh vetëm në letrat e Kafkës.
Në thelb, Kryeministri, njerëzit pranë tij dhe segmente të drejtësisë u bënë bashkë rreth padisë së një të dënuari për trafik ndërkombëtar droge në Itali, dhe mundën, ndëshkuan, burgosën, denoncuesin, deputetin e Partisë Demokratike.
Është e pahasur më parë që një trafikant ndërkombëtar droge, të bëjë bashkë kaq shumë segmente të pushtetit në një qellim të vetëm, hakmarrjen ndaj atij që tregoi të vërtetën se; personi në fjalë po i shpëtonte dënimit në Itali, dhe personi në fjalë ishte vëllai i Ministrit të Brendshëm.
Për ta qartësuar të plotë atë që ka ndodhur, po rendis disa akte bruto që flasin për komplot dhe jo drejtësi.
Kryeministri me gojën e tij ka paralajmeruar disa herë se cili do të ishte vendimi, ende pa u shpallur.
Në një nga seancat parlamentare, në mënyrë të papredent kryeministri(Edi Rama) ma tha në Parlament vendimin që do të merrej ndaj meje, madje duke kërcënuar se i njëjti fat si ai që më priste mua(Burgu) do të kishte edhe për kolegë të tjerë të opozitës.
Kryeministri, reagoi me dy shënime të gjata sapo vendimi u shpall, pa parë asgjë nga arsyetimi apo logjika, duke e marrë në mbrojtje dhe bërë në publik avokatinë e këtii verdikti, rasti i parë që komenton një vendim gjykate!
Kaloi një muaj dhe ky vendim, nuk është zbardhur duke mos më dhënë mundësinë e rekursit në Gjykatën e Lartë, pavarësisht se e drejta e ankimit prevalon! Supozohet se askush veç gjyqtarëve nuk e di se kush janë argumentat e tyre por argumentat pse jam dënuar i tha Kryeministri kur ende nuk ka vendim!
Edi Rama në krah të presidentes së Komisionit Europian, sërish komentoi për këtë vendim, ende të panjohur.
Dhe tha se qenkam dënuar për shpifje. Ndërkohë që, shpifja është dekriminalizuar me ligj në Shqipëri. Sipas prokurorisë, akuzohem për kallëzim të rremë.
Ndërkohë dua t’ju vë në dijeni, se unë nuk kam bërë kallëzim penal por denoncim publik nga selia e Partisë Demokratike në cilësinë e deputetit dhe Sekretarit të Aksionit Qytetar, pozicion ky që mbulonte kryesisht ankesat që adresoheshin nga qytetarët në selinë e PD.
Është me vend të theksohet, që në një rast analog të denoncimit nga PD, të kohëve të fundit, SPAK është shprehur se duhet të depozitohet kallëzim penal në Prokurori, duke pasur veprim aktiv që të kemi hetim për kallëzimim të rremë, ku padiskutim që duhet të provohet dhe dijenia e kallëzuesit për pavërtetësinë e
kallëzimit.
Në këto rrethana, unë sot jam në burg, i dënuar pa ligj, vetëm se denoncimi im i faktuar ishte ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, ish-kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj.