Ervin Salianji ka reaguar nga burgu pas seancës së sotme parlamentare. Ish-deputeti që po vuan dënimin në Fier për kallëzim të rremë thotë se socialistët vendosën ta fshijnë emrin e tij në parlament me vendim politik të Edi Ramës.
Pavarësisht kësaj ai thotë se i ka shërbyer vetëm interesit të qytetarëve dhe të vazhdojë të jetë tmerri i atyre që mendojnë se duke e izoluar do ia mbyllin gojën.
“Sot me vendimin politik të Edi Ramës, socialistët vendosin ta fshijnë emrin tim nga radhët e opozitës në Parlament, duke hequr mandatin e dhënë nga qytetarët e Korçës! Jam krenar që në çdo ditë të ekzistencës time politike i kam shërbyer vetëm interesit të qytetarëve! Edhe nga burgu politik do të vazhdoj të jem tmerri i atyre që mendojnë se me izolimin tim do të më mbyllin gojën. Asgjë nuk më ndal! Beteja politike vazhdon”, shkruan Salianji.
Kujtojmë që ditën e sotme, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, njoftoi gjatë seancës parlamentare vakancën e mandatit pas dënimit të Salianjit.
Sot dogjën karriget dhe nuk lejuan zhvillimin normal të seancës duke premtuar se të njëjtën gjë do të bëjnë edhe në vazhdim.
Ndërkohë të hënën e 7 Tetorit PD ka paralajmëruar një protestë kombëtare.