1 10 696x539

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala deklaroi se objektivi kryesor i programit të reformimit të sistemit spitalor është sigurimi i një shërbimi cilësor dhe maksimal për qytetarët në të gjithë vendin.

Në konferencën e sotme për mediet, ministrja bëri të ditur se reforma po mbështetet mbi një analizë të detajuar të performancës së spitaleve, duke përdorur indikatorë të matshëm, si shkalla e shfrytëzimit të shtretërve, koha mesatare e qëndrimit të pacientëve në spital, cilësia e shërbimit dhe eficienca në përdorimin e burimeve.

Sipas saj, një spital eficient është ai që ofron shërbim cilësor për pacientët, ka një shfrytëzim të lartë të kapaciteteve dhe një kohë qëndrimi më të ulët, çka tregon menaxhim më të mirë dhe trajtim më efektiv.

Paralelisht me analizën e indikatorëve të performancës, po merren në konsideratë edhe lëvizjet demografike, në kushtet e ndryshimeve të popullsisë në zona të ndryshme të vendit. Kjo do të ndihmojë në përshtatjen e shërbimeve shëndetësore sipas nevojave reale të komuniteteve.

Ministrja theksoi se procesi i hartëzimit të spitaleve po realizohet në bashkëpunim me ekspertë vendas, si edhe me mbështetjen e Bankës Botërore dhe ekspertizës së shkollës angleze të shëndetit publik, me qëllim ndërtimin e një modeli sa më efikas dhe të qëndrueshëm.

“Pasi të kemi një informacion të plotë dhe një panoramë të qartë të situatës, do të ndërmarrim vendimet e duhura për riorganizimin e rrjetit spitalor. Shërbimet për qytetarët nuk do të mungojnë, përkundrazi, do të shtojmë shërbime të reja aty ku sot nuk ofrohen”, u shpreh Sala.

Sipas saj, reforma synon rritjen e cilësisë, barazinë në akses dhe optimizimin e burimeve, duke garantuar që çdo qytetar të marrë shërbimin e duhur, në kohën e duhur dhe pranë vendbanimit të tij.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights