Kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë e Durrësit, kryebashkiakja aktuale Emiriana Sako zhvilloi sot një takim me gra dhe vajza të Durrësit të Ri.
Në fjalën e saj, Sako siguroi se, kjo zonë ka vëmendjen maksimale dhe investimet do të vijojnë edhe në mandatin tjetër.
“Zona e Durrësit të Ri për 3 vite që unë kam drejtuar bashkinë e Durrësit ka pasur vëmendjen time. Kjo sepse unë njerëzit i kam parë të gjithë si të barabartë. Në këtë zonë ndërthuren kultura, respektohet në maksimum fqinji dhe kemi parë një harmoni të të gjitha krahinave që jetojnë së bashku”, tha ajo.
Sako garantoi se, në mandatin që vjen do të investohet akoma më tepër në zonën e Durrësit të Ri.
Sipas saj, “gjatë këtij viti në këtë zonë janë ndërtuar tre rrugë të reja, ndërkohë që janë duke u mbyllur rrugët “Azem Hajdari” dhe “Vala e detit”, të cilat janë akse të rëndësishme”.
“Kjo është një zonë e madhe që ka marrë investime por ne do të vazhdojmë akoma më tej. Punën do ta filloj nga kjo zonë me rikonstruksionin e shkollës “Dom Nikoll Kaçorri”. Këtu do të ndërtojmë një qendër të re shëndetësore, do të ndërtojmë një kopsht. Sfida jonë fillon më datën 15 maj për t’ju përgjigjur familjeve, njerëzve që kemi takuar dhe për të filluar të zbatojmë premtimet dhe angazhimet që kemi marrë me njerëzit”, tha ajo.
Në këtë takim kryebashkiakja Sako shoqërohej nga deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu.