ScreenshotScreenshot

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në aleancë dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR. Gjatë një tryeze diskutimi në Prishtinë më 11 Mars me gazetarë, pasi zhvilloi takime me krerët shtetërorë, Rutte tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ofron siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet, por shtoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike.

“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti amerikan Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”, tha Rutte.

Afro 100.000 trupa amerikane në Evropë, 600 prej tyre janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë. Ditë më parë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar sa i përket pozicionit të forcave të tyre.

Rutte tha se administrata Trump ka tejkaluar ngërçin sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke mbajtur bisedime për përfundimin e luftës me Rusinë dhe Ukrainën. Ai tha se ka mundësi që administrata amerikane të tentojë të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Le të shohim se çfarë roli mund të luajë SHBA-ja në këtë rajon, që të kemi një zgjidhje afatgjatë në rajon ku do të kishte raporte të mira fqinjësore dhe normalizim të situatës”, tha Rutte.

Para se të takohej me krerët shtetërorë të Kosovës, shefi i NATO-s qëndroi një ditë më parë edhe në Bosnje e Hercegovinë. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Rutte tha se kërkesa e tij për të gjithë politikanët në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është që të veprojnë në mënyrë të parashikueshme.

“E dimë që për momentin në Bosnje e Hercegovinë ka tensione për shkak të rastit gjyqësor ndaj presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Dhe duke pasur parasysh faktin e tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë, mendoj se është në interesin e të gjithëve që të ulen tensionet. Mënyra më e mirë për të bërë këtë është që të jeni të parashikueshëm dhe të përmbaheni nga veprimet e njëanshme”, tha shefi i NATO-s.

Rutte foli edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe NATO-s që nuk ia lejon Forcës së Sigurisë së Kosovës që të shkojë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – pa miratimin e aleancës.

“Për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje të re, duhet të respektojmë marrëveshjen ekzistuese. Marrëveshja thotë se nëse FSK-ja dëshiron të dislokohet diku, veçmas në veri, duhet të ketë dakordim paraprak me KFOR-in. Kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, nëse janë afër kufirit, është e rëndësishme që të paktën ata të njoftojnë në kohë KFOR-in. Duam që kjo të vazhdojë dhe e di që Qeveria është e përkushtuar për këtë”, tha shefi i NATO-s.

“Sigurisht, nuk mund të parashikoni nëse gjërat do të ndryshojnë me kalimin e kohës. Por, nuk ka asgjë të re për të cilën mund t’iu njoftoj tani në këtë drejtim”, shtoi ai. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Ky mision, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights