Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ditën e sotme ka raportuar në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për luftën kundër Dezinformimit.
Sipas ministrit Hoxha, në ditët e sotme intensifikimi dhe përhapja e shpejtë e kërcënimeve hibride paraqitet si një sfidë shumë serioze dhe komplekse për sigurinë dhe stabilitetin e vendeve demokratike.
Hoxha theksoi se Shqipëria, si një vend i ndërvarur nga zhvillimet ekonomike rajonale e globale, dhe nga ana tjetër, duke qenë një vend anëtar i NATO-s si dhe kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, e konsideron aftësinë për të parandaluar, kundërshtuar dhe për t’iu përgjigjur sulmeve hibride si një prioritetet madhor.
Ministria e Brendshme e ka vlerësuar të domosdoshme marrjen e masave të qëndrueshme dhe efektive për parandalimin, mbrojtjen dhe reagimin efektiv ndaj këtyre kërcënimeve.
Hoxha: Përballja me kërcënimet hibride kërkon një qasje të integruar dhe ndërinstitucionale gjithëpërfshirëse, duke përfshirë këtu bashkëpunimin dhe koordinimin mes të gjitha strukturave dhe agjencive shtetërore që janë të angazhuara në fushën e sigurisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në nivel global, tha ministri, është gjerësisht e pranuar se aktorë kryesorë të luftës hibride dhe në çdo sulm kibernetik janë të ashtuquajturit “Big Four” 4 shtetet kryesore: Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.
Ndërsa në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër vendet më aktive në luftën hibride është Rusia.
Hoxha: Vlerësohet se Rusia ka shtuar prezencën dhe ndikimin në rajon, duke kundërshtuar dhe vonuar procesin e integrimit evropian të këtyre vendeve, nëpërmjet influencës politike, por edhe ekonomike. Gjithashtu pranohet se propaganda politike e Moskës nuk vjen direkt nga Moska, por vjen e ripaketuar në të njëjtën mënyrë si të vinte nga andej dhe shpërndahet nëpërmjet satelitëve të saj në rajon.
Të njëjtat burime perëndimore vlerësojnë se 90% e propagandës ruse dhe e këtyre fushatave bëhet në gjuhën serbe. Duhet theksuar fakti se Shqipëria është më pak e prekura dhe më pak e ndikuar nga kjo fushatë hibride e Rusisë dhe e satelitëve të saj në rajon. Kohët e fundit, vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon, i janë shtuar portale edhe në gjuhën shqipe. Këto vazhdojnë të kenë një shikueshmëri dhe lexueshmëri të kufizuar dhe një numër të vogël klikimesh.
Ministri Hoxha theksoi se në përgjigje të formave të reja të kërcënimeve të shfaqura dhe në kuadër të respektimit të angazhimeve si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria i ka kushtuar rëndësi të veçantë forcimit të kuadrit ligjor strategjik.