Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin e ka përfunduar dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Për tri ditë ai dha dëshmi në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, në rastin gjyqësor ndaj ketij te fundit, Kadri Veselit, Jakup krasniqit e Rexhep Selimit të cilët Prokuroria e Specializuar në Hagë i ngarkon me krime të pretenduara të luftës .
“Ka qenë privilegj të jem këtu. Edhe pse zgjati, është përdorim shumë i rëndësishëm i kohës sime”, tha Rubin para se të linte bankën e dëshmitarëve në gjykatën e Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë.
Rubin tha sot se në Kosovë nuk ka parë brigadë, batalione apo njësi formale të UÇK-së.
“Kishin uniforma, disa kishin e disa jo, nuk i konsideronim si Polici Ushtarake”, tha ai gjatë marrjes në pyetje nga gjykatësit.
“Kam lexuar komunikata, por i kam parë më shumë si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se çfarë ishte”, theksoi Rubin.
Pas pyetjeve të trupit gjykues, ZPS-ja tha se nuk ka pyetje shtesë dhe seanca vazhdoi me pyetjet e avokatit mbrojtës së Thaçit, Luka Misetiç.
Rubin dje deklaroi se UÇK-ja nuk ka pasur kontroll dhe komandë efektive. Ai gjithashtu ka theksuar se Thaçi ka pasur më shumë rol politik dhe jo ndonjë autoritet mbi UÇK-në.
“Më shqetëson fakti që [ish-krerët e UÇK-së] janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim. Ndërkohë që janë dorëzuar vullnetarisht”, tha ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjatë ditës së dytë të dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Duke i ditur zhvillimet, mendoj se është gabim, kjo nuk është drejtësi. Kam menduar, kam lexuar, kam folur me juristë dhe më kanë thënë se është një trajtim i pazakontë për një burrë shteti që është dorëzuar vullnetarisht”, tha Rubin gjatë dëshmisë të martën.
Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.
James Rubin, është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka parashikuar që në gjykatë t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria solli 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.
Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese. Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.