Ka shkuar në 59 numri i personave që ndërruan jetë si pasojë e zjarrit në një klub nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut.
Mes viktimave është edhe një punonjës policie, i cili ndodhej në diskotekë pas një plani të përgatitur më parë për praninë e të miturve në klub.
35 prej viktimave janë identifikuar nga autoritetet.
Po ashtu raportohet se mbi 155 persona kanë mbetur të plagosur. 80 prej tyre janë transferuar në klinikat e Shkupit.
Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e grupit ADN.
Më herët drejtoresha e spitalit të Koçanit bëri me dije se disa prej viktimave ishin të moshave nga 14 deri në 24 vjeç.