Festat e fundvitit kanë sjellë një rritje të ndjeshme të lëvizjeve në pikat kryesore të kalimit kufitar, me Kapshticën dhe Qafë Thanën që po përballen me një numër të lartë hyrjesh dhe daljesh nga territori shqiptar.
Në 24 orët e fundit:
- Kapshtica regjistroi 4,599 hyrje dhe 1,864 dalje.
- Qafë Thana regjistroi 2,561 hyrje dhe 2,769 dalje.
Megjithë fluksin e shtuar, situata në këto pika paraqitet e qetë dhe e menaxhueshme, duke shmangur vonesat e gjata.
Në pikën kufitare të Kapshticës, janë vendosur në funksion 3 sportele për hyrjet, ndërsa për daljet, hapen 3 deri në 4 sportele bazuar në intensitetin e fluksit.
Autoritetet parashikojnë një rritje të mëtejshme të qarkullimit, veçanërisht me afrimin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, kur emigrantët shqiptarë që jetojnë kryesisht në Greqi kthehen për të festuar me familjet e tyre.
Po ashtu, një fluks i ngjashëm pritet edhe në fillim të janarit, kur emigrantët do të rikthehen në vendet ku punojnë pas përfundimit të pushimeve.
Autoritetet kufitare sigurojnë se janë të përgatitura për të përballuar çdo rritje të lëvizjes, duke garantuar shërbime efikase për qytetarët dhe shmangien e radhëve të gjata.