WhatsApp Image 2025 12 13 at 10.53.48 1024x590

Në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po rriten kapacitetet dhe efikasiteti i shërbimit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, inspektoi këtë të shtunë, më 13 dhjetor, ambientet e reja të Shërbimit të Kimioterapisë, ku tashmë funksionojnë tre salla të dedikuara që ofrojnë trajtim për rreth 100 pacientë ditorë, ndërkohë që po punohet për hapjen e sallës së katërt.

Ministrja Sala ishte e shoqëruar nga Drejtoresha e QSUT-së, Anxhela Paparizo, dhe shefi i Shërbimit Onkologjik, Helidon Nina.

Si rezultat i bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale me donatorë, kapacitetet e kimioterapisë kanë shkuar në 30 poltrona të posaçëm, të cilat pritet të dyfishohen shumë shpejt, duke rritur efikasitetin në menaxhim dhe lehtësuar ndjeshëm fluksin e pacientëve.

Gjatë vizitës, Sala vlerësoi kontributin e donatorëve dhe falënderoi stafin mjekësor për vijimin e shërbimit pa ndërprerje edhe gjatë punimeve për hapjen e sallës së re dhe ndërhyrjet në dy sallat ekzistuese.

Ministrja theksoi se investimet do të vijojnë, veçanërisht në rritjen e kapaciteteve dhe në garantimin e barnave onkologjike.

“Ky është vetëm hapi i parë. Puna për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit në Spitalin Onkologjik vijon në mënyrë sistematike, me investime si në rritjen e kapaciteteve ashtu edhe në garantimin e barnave onkologjike.“, tha ministrja.

Paralelisht, Spitali Onkologjik ka nisur zbatimin e shërbimeve të reja digjitale, si receta elektronike dhe dosja elektronike e pacientit (e-file), duke përmirësuar ndjekjen dhe menaxhimin e trajtimit për çdo  pacient.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights