Shumica socialiste në Konferencën e Kryetarëve ka refuzuar kërkesën e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor për Portin e Durrësit, gjatë mbledhjes së sotme (23 Dhjetor).
Pas përfundimit të konferencës, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të mazhorancës, duke e cilësuar si një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit.
Refuzimi i mazhorancës për hetim parlamentar për aferën e Portit të Durrësit nuk është thjesht antikushtetues, por është dëshmi e qartë se projekti nuk i shërben interesave të qytetarëve, por vetëm interesave të Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe klientëve të tyre.
Një mazhorancë që ka bindjen se projekti është në interes të zhvillimit, pse ka frikë nga transparenca, pse ka frikë nga hetimi parlamentar, pse pengon ushtrimin nga opozita të të drejtës së saj për kontroll parlamentar?
Opozita kishte kërkuar ngritjen e këtij komisioni për të hetuar veprimet e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, lidhur me projektin e Porto Romanos.
Megjithatë, Partia Socialiste ka qëndruar e palëkundur, duke refuzuar çdo lloj shqyrtimi të veprimeve të saj në lidhje me këtë çështje.
