Qyteti i Kopenhagës është vënë nën masa të forta sigurie, teksa liderët e Bashkimit Evropian mblidhen për një samit të jashtëzakonshëm, në një atmosferë të mbushur me frikë nga sulmet me dronë, që dyshohet se vijnë nga Rusia.
Për herë të parë në historinë e saj, një Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka marrë pjesë në një takim të përbashkët të Komisionit Evropian, një sinjal i qartë se siguria është kthyer në prioritetin absolut të Evropës.
“Duhet të mbrojmë qiellin tonë”, u shpreh Rutte sipas La Repubblica në një deklaratë që, në rrethana normale, do të tingëllonte e zakonshme, por që sot merr peshë të veçantë për shkak të rrethanave.
Frika nga dronët
Dronët e dyshuar rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të disa vendeve të BE-së në mënyrë të përsëritur javët e fundit, duke ngritur alarmin mes shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës në mbarë kontinentin. Këto veprime konsiderohen si kërcënime direkte ndaj liderëve evropianë që janë mbledhur për të diskutuar mbrojtjen evropiane dhe ndihmën për Ukrainën.
Për këtë arsye, Komisioni Evropian pritet t’i paraqesë vendeve anëtare një plan për krijimin e një “muri dronësh”, një projekt ambicioz që synon mbrojtjen ajrore nga dronët e armikut. Plani do të prezantohet zyrtarisht në nëntor, por diskutimet fillojnë që sot në Kopenhagë.
Megjithatë, uniteti nuk është i plotë mes 27 vendeve anëtare. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se ruajtja e paqes është një detyrë themelore e BE-së dhe ka bërë thirrje për “projekte të përbashkëta në mbrojtje”, sidomos në krahun lindor të Unionit.
NATO dhe BE, më të afërta se kurrë
Sekretari i NATO-s vlerësoi projektin e “murit të dronëve” si një nismë të shkëlqyer, duke theksuar se në Poloni dhe Estoni tashmë është e qartë që bëhet fjalë për operacione ruse. Kjo sinjalizon se bashkëpunimi mes BE-së dhe NATO-s është duke u thelluar, në një moment kyç për sigurinë evropiane.
Ndërkohë, shërbimet sekrete ruse kanë akuzuar inteligjencën ukrainase se po planifikon një “provokim të madh” në Poloni, përmes një sulmi me dronë dhe njësi komandoje ndaj infrastrukturës kritike, një tentativë, sipas tyre, për ta fajësuar Rusinë dhe Bjellorusinë dhe për të provokuar një përfshirje të NATO-s në luftë.
Ukraina, probleme dhe zgjidhje
Në samit pritet të diskutohet edhe përdorimi i pasurive të ngrira ruse për të financuar një huadhënie për Kievin, një çështje që për momentin përballet me pengesa ligjore. Një ide është emetimi i bonove që do të shlyhen kur Rusia të paguajë dëmet e luftës, por Banka Qendrore Evropiane ende nuk ka dhënë miratim.
Sipas një dokumenti të përbashkët të Suedisë dhe Finlandës, nevojat financiare të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027 llogariten në 130 miliardë euro, një shumë thuajse e barabartë me pasuritë ruse të ngrira në Evropë, të cilat kapin shifrën e 140 miliardë eurove.
Përveçse përfiton ndihma, Ukraina po bëhet gjithashtu një burim i rëndësishëm ekspertize, sidomos në teknologjinë e dronëve. Për këtë arsye, Kievi ka organizuar një mision në Danimarkë, që shërben si test praktik për ndërtimin e “mburojës” së re evropiane me dronë.
Në Bruksel theksohet: “Nuk do të lejojmë që Rusia të na trembë, as me dronë, as me sanksione, e as me pasuritë e ngrira.”
Evropa e vitit 2025 po shkon drejt një epoke të re të mbrojtjes së përbashkët, ku siguria, teknologjia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë kthyer në fjalët kyçe të çdo samiti. Kopenhaga sot është simboli i kësaj rindërtimi strategjik.
