Efektivi hero i policisë Klajdi Mustaj, i cili vetëm pak ditë më parë rrezikoi jetën për të shpëtuar të aksidentuarit në Fier, është vlerësuar këtë të martë, më 12 gusht, me një Certifikatë për Shërbime të Dalluara.
Këtë certifikatë ia dorëzoi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në një ceremoni ku morën pjesë të tjerë kolegë të tij.
“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj, i cili ndërhyri me profesionalizëm dhe vendosmëri për të shpëtuar tre bashkëqytetarë të përfshirë në një aksident rrugor, është një shembull frymëzues për çdo efektiv policie. Guximi, reagimi i shpejtë dhe zemra e madhe që tregoi, janë vlerat që ne duam të shohim te çdo punonjës i Policisë së Shtetit. Në emrin tim dhe të gjithë trupës sonë policore, i shpreh mirënjohjen më të thellë dhe e përgëzoj për këtë akt të lartë human, për t’u dhënë ndihmën e parë, në kushte të vështira, tre shtetasve që u përfshinë në një aksident rrugor. 15-vjeçari që Klajdi mori në duar mes tymit dhe flakëve, për ta shpëtuar, fatkeqësisht humbi jetën në spital, kështu që gjej rastin t’i shpreh familjes, ngushëllimet e mia të sinqerta.”, tha kreu i Policisë.
Proda mes të tjerash përmendi dhe akte të tjera heroike të kryera nga efektivë të Policisë.
“Klajdi nuk është i vetmi shembull. Këto dy muaj kemi parë shumë raste të tjera kur kolegët tanë kanë vënë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetën e të tjerëve. Dua të përmend këtu rastin e Shefit të Komisariatit të Policisë Delvinë, Agim Troci dhe të Nënkomisar Eridionit, të cilët, së bashku me trupën e tyre dhe me mbështetjen e kolegëve të Sarandës, bënë të mundur evakuimin e dhjetëra banorëve, nga zjarret që rrezikonin jetën e tyre, dhe shpëtuan njerëz në rrethana tepër të vështira. Vetë këta dy protagonistë mbetën të dëmtuar, njëri më rëndë e tjetri më lehtë, nga zjarri.
Gjithashtu, nuk mund të lë pa përmendur veprimin e tre punonjësve të Patrullës së Përgjithshme në Korçë, Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari, të cilët, me përkushtim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar një qytetar të moshuar nga flakët, të cilët do të vlerësohen po njësoj si ju.
Këto nuk janë thjesht ngjarje, por dëshmi të gjalla të asaj që do të thotë të jesh pjesë e Policisë së Shtetit. Shërbimi ndaj qytetarëve nuk është vetëm një detyrë ligjore apo institucionale, është një mision i shenjtë. Gjitashtu, është një thirrje e përditshme për të qenë aty, sidomos kur jeta, shpresa dhe siguria e njerëzve janë në rrezik. Prandaj, sot, përmes këtij vlerësimi për Inspektor Klajdi Mustaj, ne nderojmë jo vetëm atë, por të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që me përkushtim, guxim dhe humanizëm, i japin kuptim dhe dinjitet uniformës sonë.
Si Klajdi, po njësoj do të nderohen kolegët që përmenda më lart, si dhe çdo punonjës policie që do të demonstrojë këto vlera të larta njerëzore dhe përgjegjshmëri ndaj detyrës. Çdo punonjës policie që do ta përmbushë me dinjitet, ndershmëri, përkushtim, sakrificë dhe humanizëm detyrën, ka mbështetjen time të plotë. Jam krenar për ju. Faleminderit që çdo ditë e bëni Policinë e Shtetit, një institucion ku qytetarët mund të besojnë dhe të mbështeten.”, shtoi Proda.
Mustaj nga ana tjetër e ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm, për vlerësimin dhe mbështetjen, ndërsa ka shtuar se ai thjesht ka bërë detyrën dhe do vijojë ta bëjë sa herë t’i jepet rasti.
“Ky vlerësim nuk është vetëm një motivim personal, por edhe një mesazh inkurajues që tregon se puna, përkushtimi dhe ndershmëria vlerësohen, dhe do të mbetet për mua një nxitje për të vazhduar të jap më të mirën në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. Mbështetja juaj ndaj çdo punonjësi policie që përmbush me ndershmëri, përkushtim, sakrificë dhe humanizëm detyrën në shërbim të qytetarëve dhe atdheut, është më shumë se një certifikatë apo vlerë monetare, është një tregues i qartë që puna e sakrifica vlerësohen.
Ndjej shumë keqardhje që 15-vjeçari, të cilin u përpoqa me gjithë zemër ta shpëtoja, humbi jetën në spital. Shpirti i tij u prehtë në paqe!
Sot, kam një mesazh për të gjithë përdoruesit e rrugës, jeta është thesari ynë, mbrojeni atë duke zbatuar ligjshmërinë.”, tha Mustaj, efektivi i Policisë vetëm 26 vjeç, që rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar katër personat nga automjeti në flakë pas aksidentit të së premtes, në zonën e njohur si Qafa e Koshovicës në Fier.