Në territorin e qarkut Shkodër ditën e sotme situata paraqitet kryesisht e qëndrueshme dhe nën kontroll, ndërsa si pasojë e rënies së temperaturave, vërehen përmirësime të dukshme në aspektin hidrometeorologjik.
Prefektuta e Shkodrës informoi sot se “sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 1000 ha në të gjithë territorin e qarkut Shkodër. Strukturat përgjegjëse janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Të gjithë specialistët ndodhen në terren dhe janë në kontakt të drejtpërdrejtë me fermerët, duke ofruar këshillim dhe asistencë për menaxhimin sa më të qetë të kësaj situate”.
Situata hidrologjike në territorin e bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Nivelet e ujit janë nën kuotat kritike dhe nuk raportohet prani uji në banesa.
Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 945 ha, e shpërndarë në: njësinë administrative Dajç 120 ha, njësia administrative Velipojë 195 ha, njësia administrative Ana e Malit 600 ha dhe njësia administratie Bërdicë 30 ha. Prania e ujit është e kufizuar vetëm në sipërfaqe bujqësore. Në Obot, uji është prezent në oborre, pa depërtim në banesa. Qarkullimi i këmbësorëve dhe mjeteve emergjente është i garantuar.
Në territorin e bashkisë Vau i Dejës nuk raportohen probleme të emergjencave civile gjatë mëngjesit të sotëm.
Po ashtu, edhe në territorin e bashkisë Malësi e Madhe nuk ka problematika të evidentuara për momentin.
Sipas informacioneve të marra nga kontraktorët e mirëmbajtjes së akseve rrugore që administrohen nga DRV Shkodër, deri më tani nuk raportohen probleme në qarkullimin rrugor. Qarkullimi në akset Qafë Mali–Fierzë dhe K/Hadroj–Qafë Bene kryhet me goma dimërore dhe zinxhirë.
Sa i përket niveleve të ujit, më datë 12 janar 2026, raportohen këto të dhëna: Lumi Buna, ura e vjetër e Pazarit: 8.60 m, Lumi Drin, ura e Bahçallëkut: 8.40 m, Lumi Buna, Dajç: 6.64 m.
Hidrovoret e Velipojës vijojnë të funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 m dhe punojnë në kapacitet të plotë. Në territorin e bashkisë Pukë dhe bashkisë Fushë-Arrëz situata paraqitet e qetë dhe nuk raportohen probleme të emergjencave civile.
Prefekti i Qarkut Shkodër së bashku me strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë territorin e qarkut.
