Nxenes 696x522

Matura Shtetërore pritet me padurim nga nxënësit dhe prindërit, pasi përbën një moment kyç në vijimësinë e rrugëtimit në arsimim, e ku përzihen përgatitjet në studime dhe emocionet e përmbylljes së ciklit drejt sfidave të reja universitare.

Ndaj dhe autoritetet arsimore nisin që herët përgatitjet për të garantuar proces të drejtë dhe transparent. Edhe këtë vit, rregullorja e Maturës Shtetërore parashikon ndryshime nga ajo e një viti më parë.

Këto ndryshime prekin veçanërisht aspektet në lidhje me nxënësit mbetës dhe masat disiplinore gjatë provimeve.

Drejtoresha e përgjithshme e Drejtorisë së Arsimit Parauniversitar, Mirela Cami shpjegoi për ATSH-në ndryshimet e parashikuara në këtë rregullore.

“Nxënësit që rezultojnë mbetës në një apo dy lëndë gjatë gjithë vitit shkollor nuk do të mund të hyjnë në provimet e qershorit. Këta nxënës do të duhet t’i nënshtrohen këtyre provimeve gjatë sezonit të vjeshtës dhe më pas do hyjnë në Maturën Shtetërore në sezonin e dytë. Në rast se rezultojnë jokalues në 3 lëndë, ata e humbin vitin shkollor dhe do t’u duhet ta përsërisin”, theksoi Cami.

Sipas saj, drejtoritë rajonale, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe të gjitha institucionet arsimore do të njoftohen në mbyllje të vitit shkollor për listën emërore të këtyre nxënësve.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përdorimin e pajisjeve teknologjike gjatë provimeve.

“Maturanti, i cili paraqitet në qendrën e provimit dhe konstatohet gjatë provimit me celular, orë smart dhe pajisje të tjera teknologjike, përjashtohet nga ai provim, por ka të drejtë ta japë atë në sesionin pasardhës”, sqaroi Cami.

Sa i përket administratorëve, Cami vuri në dukje se ata nuk do të kenë vetëm detyra, por edhe përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit.

“Administratorët e provimit janë të trajnuar dhe përcaktohen me short elektronik në praninë e drejtorit të ZVAP-së. Janë të qarta detyrat e tyre lidhur me administrimin e procesit të provimit që nga identifikimi i maturantëve, moslejimi i ndërrimit të vendit gjatë provimit, kontrolli fizik për pajisje teknologjike, raportimi i parregullsive, respektimi i orareve dhe rregullave të tjera në përputhje me rregulloren për Maturën Shtetërore 2026, që e ngarkojnë me përgjegjësi lidhur me mbarëvajtjen e procesit”, nënvizoi Cami.

Provimet e maturës do të përmbajnë 30-35 pyetje, duke përfshirë pyetje me alternativa dhe shtjellim. Ndërkohë që për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për provimet e Maturës.

Për të marrë notën 10 absolute, maturanti duhet të grumbullojë 60 pikët e mundshme.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights