Kreu i Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion, Altin Dumani, foli në detaje sa i takon performancës së Prokurorisë së Posaçme. Theksoi se çdo akt ligjor është produkt konsultimi me prokurorët e posaçëm, duke hedhur poshtë çdo pretendim tjetër mbi rolin e tyre.
Shtoi po ashtu se çdo veprim i prokurorëve kontrollohet nga gjykata, ajo e Shkallës së parë, e Apelit, apo e Lartë.
Sa i takon llogaridhënies, përmendi raportin me ILD-në (Inspektoriati i Lartë i Drejtësinë) apo KLP-në (Këshilli i Lartë i Prokurorisë).
“ILD ka ushtruar kontrolle në SPAK dhe ka dalë edhe me raporte, dhe ne në bazë të rekomandimeve kemi përmirësuar metodën e punës. Në dijeninë time, janë trajtuar nga ILD 61 raste me vendime përfundimtare, çka tregon se prokurorët e posaçëm japin llogari edhe te ILD-ja. Me KLP-në kemi marrëdhënie shumë të mirë, ka qenë mbështetje për SPAK, kemi komunikime për aq sa ka kompetencë“, u shpreh ai.
Rekomandimet e Kuvendit ose të ekzekutivit
“Jemi përpjekur t’i trajtojmë. Do të gjeni në raport edhe mënyrën si janë përmbushur rekomandimet nga Kuvendi apo Këshilli i Ministrave. Është thelbësore që të kemi një kuptim të qartë ligjor të natyrës së rekomandimeve, kanë vetëm funksion orientues dhe mbështetës. Kështu ruajmë balancën kushtetuese”, tha Dumani.
Ndër të tjera, Dumani u ndal edhe tek llogaridhënia individuale dhe mekanizmat disiplinore, të cilat i quajti çështje kyçe për të cilat do të punohet ngushtësisht.
“Një moment tjetër që trajtohet në dokumentin e qendrës është sa i përket pasqyrimit më të thelluar të dhënave për ndjekjen penale. Raportet tona përmbajnë informacione edhe për mosfillimet e procedimeve si dhe për ankimet e tyre më pas në gjykatë. Në fund dua të ndalem tek llogaridhënia individuale ku përfshihen zbatimi i standardeve të etikës, vlerësimi periodik i performancës dhe mekanizma disiplinore. Ne i konisderojmë këto si çështje kyçe dhe do të punojmë ngushtësisht që këto mekanizma të jenë të qartë të matshëm dhe në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë”
