Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha sot se mbledhja e Kuvendit është bërë në shkelje flagrante të rregullores.
Duke iu drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Bardhi tha gjatë fjalës së tij në seancën plenare se “të nisësh detyrën më të lartë shtetërore si Kryetar i Kuvendit në shkelje të rregullores së Kuvendit do të duhet t’ju turpërojë, sepse jeni detyruar për të respektuar Kushtetutën dhe rregulloren”.
Sa i përket propozimit të Partisë Socialiste për ndryshimin e strukturës së komisioneve parlamentare, Bardhi tha se nuk është ky shqetësimi kryesor që ka Kuvendi i Shqipërisë, por fakti që deputetët e mazhorancës janë kthyer në noterë të qeverisë.
Sipas Bardhit, ndodh për herë të parë që ndryshimet në rregulloren e Kuvendit diktohen nga ekzekutivi.
“Shqetësimi më i madh është se në këtë Kuvend me vota të mazhorancës socialiste votohen ligje klienteliste, votohen ligje që grabisin paratë publike, të sponsorizuara nga oligarkët. A keni propozuar ndonjë ndryshim për ta frenuar këtë metodë? Ky është shqetësimi që ka sot Kuvendi i Shqipërisë. Nuk ka shqetësim Kuvendi në organizohet në 10 apo në 8 komisione. Nuk është ky shqetësimi i Kuvendit.
Ndodh për herë të parë që ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, aq më tepër për strukturë, diktohen nga kreu i ekzekutivit. Kuvendi i diktohet ekzekutivit si rregull, ne po na diktohet ekzekutivi. Ku ka turp më të madh?! Si mund që rregullat e një parlamenti, të diktohen vetëm nga një parti nga mazhoranca?!”, tha Bardhi.
Bardhi tha se mazhoranca socialiste një komision që drejtonte opozita e ka ndarë në tri pjesë dhe ia ka lënë opozitës.
“E keni shpallur prioritet të këtij Kuvendi integrimin evropian, por keni shkrirë komisionin për Integrimin. Integrimi është një proces gjithëpërfshirës dhe kërkon konsensus”, tha Bardhi.
Kreu i grupit të PD-së u shpreh se “hapja e kapitujve është proces normal, mbyllja e tyre është sfidë dhe sa të jeni në qeveri e keni të pamundur të mbyllni një kapitull të vetëm, duke nisur nga ato që quhen ‘Themelore’”.