Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri me dije se gjatë orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar 16 vatra zjarri. Nga to mbeten aktive dy prej tyre.
E para ndodhet në fshatin Dhores, bashkia Skrapar, ku vijon puna në terren nga strukturat operacionale edhe ditën e sotme.
Ndërsa në Gurë-Lurë, Bashkia Dibër (Parku Kombëtar Lurë), zjarri është vënë nën kontroll, por po monitorohet për t’u siguruar për shuarjen plotësisht të tij.
Zjarret e shuara janë:
*Në malin e Allushit, Bulqizë
*Në rrugën Delvinë-Kardhiq, njësia administrative Vergo, bashkia Delvinë
*Në fshatin Gumenicë, bashkia Selenicë
*Në fshatin Bolenë, bashkia Himarë
*Në lagjen Shijan, bashkia Delvinë
*Në fshatin Dukat, bashkia Vlorë
*Në lagjen Nr. 2, njësia administrative Rrogozhinë,
*Në fshatin Qerret, bashkia Kavajë
* Në fshatin Kallmet, bashkia Lezhë,
*Në fushat e stërvitjes pranë stadiumit të KF Skënderbeu, bashkia Korçë
*Në fshatin Vashtëmi, njësia administrative Libonik, bashkia Maliq
*Në lagjen Çole, bashkia Vlorë
AKMC bën me dije se në terren janë angazhuar 16 automjete zjarrfikëse, 142 forca operacionale dhe 15 efektivë nga Forcat e Armatosura, në koordinim të plotë me autoritetet vendore.
“U bëjmë thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë vatrat”, thuhej në njoftimin e tyre.
Kujtojmë se gjatë muajit korrik vendi ynë u përfshi nga zjarre të shumta, pothuajse në të gjithë vendin. Më të rrezikshme u shfaqën ato në malësitë e jugut ku shkaktuan edhe djegien e disa banesave, bagëtive dhe ullishteve.
Për këtë arsye, qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit.