Reshjet e shiut që ranë në vendin tonë një ditë më parë kanë shkaktuar fikjen e pothuajse të gjitha vatrave të zjarrit në vendin tonë. Siç raporton Ministria e Mbrojtjes, mbetet aktive vetëm një vatër zjarri në fshatin Spatharë në Skrapar.
Zjarre të shuara janë në:
*Fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat. Si pasojë u dogj rreth 20 ha dhe u përshkua rreth 499 ha me shkurre, pish dhe ah.
*Fshatin Gur i Bardhë, njësia administrative Xibër, bashkia Klos.
*Fshatin Gurë-Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër. Si pasojë u dogj rreth 55 ha dhe u përshkua rreth 580 ha me shkurre, pish dhe ah.
*Vendin e quajtur “Qafa e Buallit”, njësia administrative Bulqizë, ku pavarësisht punës së forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri me helikopter, u dogj rreth 22 ha dhe u përshkua rreth 35 ha me shkurre, pish dhe kullota.
Në bazë të parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Korçë dhe lokalisht të dobëta në qarqet e tjera.
Sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rreziku i lartë në qarkun Fier. Në qarqet Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër pritet nivel rreziku i moderuar. Në qarqet Lezhë, Durrës dhe Tiranë pritet nivel rreziku i ulët.
“Të gjitha strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë në gatishmëri, për çdo rast nevoje. Ftojmë të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe bashkëpunues: të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë, të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë, dhe të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së flakëve. Siguria është përgjegjësi e përbashkët”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.