Anija1 768x576

Një anije e rojes bregdetare italiane mbërriti mëngjesin e sotëm në portin e Shëngjinit për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Romës, i cili urdhëron kthimin e 43 refugjatëve të strehuar në Gjadër. Ky zhvillim vjen në pritje të një vendimi përfundimtar nga Gjykata Evropiane, e cila pritet të shprehet më 25 shkurt mbi vlefshmërinë e koncepteve të vendeve të sigurta në kontekstin e këtij programi.

Kjo është hera e tretë që plani i Kryeministres italiane Giorgia Meloni për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri sfidohet ligjërisht nga gjykatat. Edhe në dy raste të mëparshme, vendimet gjyqësore kanë çuar në largimin e shpejtë të emigrantëve nga Gjadëri.

Komisioni i Azilit në Shqipëri, pas përfundimit të seancave dëgjimore, shqyrtoi kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare të 43 emigrantëve dhe arriti në përfundimin se shumica e tyre nuk kishin baza të forta ligjore për të përfituar azil. Vetëm një individ u cilësua si i cenueshëm dhe do të vijojë procesin e shqyrtimit sipas procedurave standarde.

Ndërkohë, trajtimi i azilkërkuesve nga autoritetet italiane ka ngjallur shqetësime te organizatat ndërkombëtare dhe grupet e të drejtave të njeriut. Përfaqësues të Tryezës së Azilit dhe Emigracionit kanë kritikuar ashpër qasjen e autoriteteve italiane, duke e konsideruar atë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe atë evropian. Ata kanë denoncuar mungesën e garancive ligjore për azilkërkuesit dhe refuzimin e të drejtave të tyre në përputhje me konventat ndërkombëtare.

Me largimin e këtij grupi refugjatësh, vëmendja tashmë është e përqendruar te vendimi i ardhshëm i Gjykatës Evropiane, i cili pritet të ketë ndikim të rëndësishëm mbi të ardhmen e këtij projekti kontrovers mes Italisë dhe Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights