10 8 696x502

Ish-kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, aktualisht kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, u shpreh sot se Reforma në Drejtësi ka sjellë një transformim institucional në Shqipëri.

Reforma në Drejtësi ishte temë e një prej tre paneleve të konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias” të organizuar nga Kuvendi.

Nga ky panel, Xhafaj tha se Kontributi i Komisionit të Venecias ka qenë jetik për cilësinë për qëndrueshmërinë e projektit kushtetues në vendin tonë.

“Ky është një projekt që ka marrë pjesën kryesore të jetës sime si politikan dhe si ligjvënës, edhe në cilësinë e kryetarit të Komisioni të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi, por para së gjithash flitet për një proces që ka të bëjë me thelbin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës dhe të ardhmen evropiane të fëmijëve tanë”, tha Xhafaj.

“Pas një dekade nga miratimi konsensual i paketës kushtetuese, një gjë mund ta themi me siguri se kemi bërë gjënë e duhur, jemi në rrugën e duhur, por kemi edhe shumë punë për të bërë për ta konsoliduar reformën. Reforma në Drejtësi është transformimi institucional në Shqipëri dhe kushti kyç për përparimin e procesit të integrimit evropian. Ajo u realizua përmes një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe institucional bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare”, pohoi Xhafaj.

Xhafaj cilësoi se projekti kushtetues u asistua dhe u kontrollua tre herë nga Komisioni i Venecias dhe së fundmi edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

“Reforma ka sjellë shumë risi dhe dukuri pozitive në realitetin shqiptar. Së pari, ndarja e qartë ndërmjet pushteteve, pavarësia e pushtetit gjyqësor është arritja e parë dhe më e madhe e reformës. Projekti kushtetues i vitit 2016 i miratuar me konsensus parlamentar garantoi norma të qarta kushtetuese, pavarësinë e pushtetit gjyqësor duke ndërtuar një model në ndarjen e tri pushteteve”, vijoi ai.

“Ka një sërë problemesh që janë identifikuar nga institucionet e drejtësisë dhe ca më tepër edhe nga vetë qytetarët. Ndër to, disa janë realisht sfida. Është serioze dhe me ndikim të ndjeshëm te qytetarët, biznesi dhe kohëzgjatja e afatit të çështjeve në gjykim, një dukuri jo e re për ne. Vakancat në sistem janë shkak i fortë për këtë situatë. Integriteti, kontrolli i brendshëm, eficienca dhe profesionalizmi në hetim, digjiitalizimi i sistemeve, respekti i palëve në proces apo garantimi i aksesit në drejtësi te qytetarët mbeten ende ndër problematikat kryesore që duhen trajtuar. Kalimi i vetingut dhe pavarësia e garantuar me Kushtetutë nuk mund të jetë mburojë justifikimi përballë detyrimit kushtetues për zbatimin”, tha ai.

Sipas Xhafajt, “sistemi i drejtësisë funksionon ndërmjet parimit të vetëqeverisjes dhe vetërregullimit, përmes ngritjes së institucioneve të reja kolegjiale dhe monokratike, të cilat janë mekanizma ligjorë që kalojnë nga një varësi e heshtur politike dikur, në vetëqeverisje të garantuar sot”.

“Reforma në Drejtësi solli krijimin e gjykatave të Posaçme, prokurorive të posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit dhe një sërë mekanizmash që i kanë dhënë sistemit mundësinë e vetëpastrimit, kryesorja forcën goditëse kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta”, tha Xhafaj.

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit nënvizoi se fenomeni i pandëshkueshmërisë ka marrë një goditje të fortë dhe ka krijuar besimin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

“Debatet ndërmjet pushteteve nuk duhen konsideruar herezi kur zhvillohen brenda normave të debatit të shëndetshëm. Prirja për t’i qëndruar larg ndërveprimit institucional është një qasje e gabuar dhe jo në frymën kushtetuese. Është jetike të reagojmë në kohë mbi këto dukuri. Sistemi sot ka nevojë si bima për ujin për debatin e brendshëm konstruktiv, kritikën dhe oponencën proporcionale. Edhe debatet ndërmjet pushteteve duhen konsideruar kur zhvillohen brenda normave. Prirja për të qëndruar larg ndërmjet bashkëveprimit është qasje e gabuar. Përvoja e këtyre viteve në zbatimin e reformës dikton nevojën për të ndryshuar edhe procesin e koordinimit, monitorimin dhe mbikëqyrjen parlamentare. Kuvendi ka rol parësor për reflektim dhe veprim. Është momenti për reflektim përmes një analize se çfarë është bërë dhe po bëhet, por edhe çfarë duhet bërë në vijim”, vijoi ai.

“Zbatimi i Reformës në Drejtësi në këto vite dikton nevojën për të ndryshuar e përsosur shumë më mirë edhe procesin e koordinimit dhe mbikëqyrjes parlamentare, ku Kuvendi ka rol parësor për ndërveprim. Është momenti për reflektim përmes një analize racionale dhe të detajuar mbi atë çfarë është bërë dhe po bëhet. Në këtë proces nëse do jetë e nevojshme do të kemi asistencën e vyer të Këshillit t Evropës dhe Komisionit të Venecias”, tha Xhafaj.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights