Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një konferencë për shtyp, për të folur për gjendjen ekonomike të vendit, pra raportin pagë me çmimet në treg.
Fillimisht u shpreh se raporti i bërë prej Eurostat që liston Shqipërinë si vendet në Evropë me pagë më të ulët, Berisha u shpreh se pikërisht të dhënat e statistikave të BE-së “damkos ekipin drejtues të narkoshtetit shqiptar”. Sulme pati dhe për drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.
“Eurostat jep lajmin damkosës për ekipin drejtues të narkoshtetit shqiptar.
Shqipëria është sot vendi me hendekun më të madh midis rrogave maksimale dhe rrogës minimale të qytetarëve shqiptarë. Eurostat konstaton se rroga minimale në Shqipëri nga viti 2023 gjer sot ka mbetur aty ku ishte, 408 euro. Ndërkohë rroga maksimale në Shqipëri, paga neto e Altin Troplinit është 7 mijë euro. Është 15 herë më e madhe se paga minimale. Ndërkohë që rroga minimale nga viti 2023, siç deklaron Eurostat, është gjithsej 408 euro, rrogat e larta janë rritur me 30-40 përqind”, tha Berisha.
Por duke folur për raportin pagë-çmime, Berisha mori një shembull pak të ndryshëm nga çdo herë tjetër, duke u shprehur se vlerat e produkteve në treg janë aq të larta sa do të “plasë morri në të katërta anët e vendit”.
“Rrogat minimale nuk janë rritur thotë Eurostat, mos dëgjoni gënjeshtrat e Edi Ramës dhe INSTAT-it të Edi Ramës. Nuk janë rritur thotë çmimet janë stratosferike.
Pyesni ju një amvise, shkon dhe blen ilaçin për lavatriçen 35 euro pakoja. Në një kohë kur në Gjermani, Dash shitet me 18 euro, 17 euro. Shkoni blini djathin. Jo, pse mora këtë? Ju garantoj se me këto çmie do plasë morri në të katërta anët e vendit dhe zgjebja. Kush është ai që mund të lahet, kjo është një çmenduri. Kjo është një çmenduri. Në qoftë se ti e shet ilaçin larës me 35 euro, domethënë, çfarë do hanë njerëzit nëse blejnë në këtë mënyrë? Jo, nuk e dini ju këtë. Kthehemi në vitin 1992.”, tha Berisha.
Kujtojmë se raporti i Eurostat tregoi se paga minimale mujore bruto në Shqipëri ishte 408 euro në fund të muajt qershor, gjë e rendiste Shqipërinë jo vetëm më e ulëta në Europë (përjashtuar shtetet e ish Bashkimit Sovjetik), por dhe shumë më pak sesa në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në Shqipëri paga minimale nuk ka ndryshuar që nga 6-mujori i parë 2023, pasi ishte rritur disa herë në 2022-n, për të arritur në 40 mijë lekë, sa është edhe sot.
