Kryeministri Edi Rama uroi sot liderin historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano në 73-vjetorin e lindjes.
“Në këtë ditë të shënuar të lindjes së tij, teksa pas hapjes së 4 kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit, po udhëtoj për të mbajtur një leksion në Kolegjin legjendar të Europës në Bruzh, më erdhi krejt natyrshëm dëshira që t’i uroj publikisht Fatos Nanos, liderit historik të Partisë Socialiste, një ditëlindje të gëzuar dhe jetë të gjatë 100 vjet”, u shpreh Rama.
Kryeministri vlerësoi se Fatos Nano ka meritën e madhe që e ktheu Partinë Socialiste në një forcë me sy e me zemër nga Europa.
Rama u shpreh se “në Shqipërinë e zhytur në vorbullën e rrumpallës demokratikase, pa Fatos Nanon në krye, rruga jonë mund të kishte qenë shumë më gjatë”.
“Sot kur Shqipëria e sheh nga afër majën ku duhet të ngjitet pas një rrugëtimi të stërgjatë, dua të them se si pjesë e këtij rrugëtimi, Fatosi ka meritën e madhe që e ktheu partinë tonë në një forcë me sy e me zemër nga Europa dhe sikur ta mendosh për një moment, atë fazë të parë të historisë së Partisë Socialiste, në Shqipërinë e zhytur në vorbullën e rrumpallës demokratikase, pa Fatos Nanon në krye të saj, mendja të thotë se rruga jonë mund të kishte qenë shumë më gjatë. Respekt, përqafime dhe gëzuar i dashur Kryetar”, shkruan Rama.
Në vitin 2023, Kryeministri Edi Rama i akordoi ish-kryeministrit Fatos Nano, Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike.
Kordoni i Madh me Yll i Mirënjohjes Publike iu akordua ish-kryeministrit Fatos Nano me motivacionin: “Për kontributin posaçërisht të shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues e demokratik në Shqipëri, frymën liberale në udhëheqje dhe tolerancën shembullore në momente tejet të vështira të jetës politike kombëtare, po edhe personale, rolin vendimtar në përpjekjen shoqërore për të ardhmen e vendit”.