Kryeministri Edi Rama në eventin “Shqipëria Turistike 2030”, në të cilin u diskutua për të vendosur piketat e rrugëtimit të mëtejshëm drejt zhvillimit të turizmit, duke reflektuar mësimet e reja të këtij sezoni, u ndal tek çështja e trajtimit të mbetjeve.
Rama theksoi se pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për pastrimin e zonave bregdetare, problemi i mbetjeve mbetet i madh për shkak të papërgjegjshmërisë së qytetarëve.
“Sa i takon çështjes së mbetjeve, kemi shumë rezultate pozitive nga operacioni i “Plazheve të pastra”. Kemi një transformim rrënjësor falë udhëheqjes jo nga zyra, por nga terreni i ministres së Mjedisit, kryepastrueses së Shqipërisë, por nuk mund të bëjë dot gjë jo kaq, por sikur gjithë ushtria popullore e dikurshme të vihet, nëse paralelisht me ato që pastrojnë janë edhe ato që hedhin plehra. Turistë jo anglisht-frëngjisht-spanjisht-italishtfolës, turistë shqipfolës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, shqipe që mblidhen për të shijuar bukuritë dhe pushimet që ndalojnë dhe në pikat turistike panoramike, bëjnë edhe selfie: “O sa e mirë je ti, o Shqipëria ime”, dhe në të njëjtën kohë shkarkojnë plehrat nga veturat e tyre dhe po të shohësh pikat panoramike, janë edhe pikat ku kanë edhe grumbullimin më të madh të plehrave që hidhen.
Kryeministri theksoi gjithashtu se bashkitë janë përgjegjëse për pastrimin e qyteteve, teksa shtoi se qeveria do të angazhohet për trajtimin e mbetjeve në nivel kombëtar.
“Trajtimi i mbetjeve është problem i madh. Qeveria nuk mund të pastrojë Vlorën, duhet ta pastrojë bashkia. Qeveria nuk mund të bëjë pastrimin e qyteteve, por do të angazhohet që të bëjë trajtimin e mbetjeve të të gjithë qyteteve dhe bashkive në nivel kombëtar”, u shpreh Rama.
