Rama2 1 1024x607

Në panelin e ndarjes së çmimit prestigjioz “Karlspreis”, Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria nuk ka tjetër plan përveç anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai theksoi se, megjithëse Shqipëria nuk është naivë, është idealiste për të arritur integrimin europian.

“Kur më pyesin se çfarë plani ka Shqipëria, i them që nuk ka plan tjeter veç BE-së. Nuk jemi naivë, por jemi idealistë për BE, sa dashuria e dikujt për martesën para se realisht të martohet, madje edhe kur vjen fjala për atë që Evropa gjendet në një moment ku bëhet apo zhbëhet”, tha Edi Rama.

Rama përmendi gjithashtu frytet e reformës në drejtësi që ai ka ndërmarrë, duke thënë se për herë të parë në histori politikanët e fuqishëm janë sjellë para një prokurori dhe gjykatësi të pavarur, një arritje që nuk ishte parë nga viti 1912.

“Është hera e parë në histori që kemi politikanë të fuqishëm që shkojnë para një prokurori e gjyqtari të pavarur. Kurrë s’ka ndodhur qysh nga 1912 deri kur ne e finalizuam reformën në drejtësi. Kurrë s’kishim parë një ministër apo individ të profilit të lartë të lidhur me pushtetin politik, të çohej para gjykatës e jo më të dënohej”, tha Edi Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e lidhjes mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë se “Amerika pa Evropën është një ishull, dhe Evropa pa Amerikën është një gadishull”.

“Amerika pa Evropën është një ishull, Evropa pa Amerikën është një gadishull. Për mua së pari jam në një pozitë shumë të rehatshme sepse nuk jam gjerman dhe nuk më duhet të gjej zgjidhje për botën, jam një kryeministër i një vendi të vogël. E di që nëse unë e kam gabim askush nuk do të dëmtohet, por nëse udhëheqësit e Evropës do ta kenë gabim, të gjithë ne do të dëmtohemi”, tha Rama.

Ai bëri thirrje për një politikë të qëndrueshme në zhvillimin dhe paqen globale, duke theksuar se fuqia ushtarake nuk duhet të jetë rruga e parë për të zgjidhur krizën globale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights