Kryeministri Edi Rama, ndodhet ditën e sotme në Aachen të Gjermanisë, për të marrë pjesë në “Charlemagne Europa Forum”.
Aty, kreu i qeverisë, ka takuar Elmar Brok, ish-eurodeputetin, ky i fundit i cili ka uruar Ramën për fitoren e zgjedhjeve të 11 majit.
“Elmar Brok: Edi, urime! Eh, erdha përsëri në Tiranë të të vrisja, po ti sa herë unë vij të të vras ngjitesh më lart!
Unë: Elmar, vetëm një gjë s’kam për të ta falur kurrë! Vjen në Tiranë dhe s’pi një kafe me mua, ndërkohë që unë të jam borxhli, sepse siç thoshte Niçja, “Çfarë s’të vret të bën më të fortë”!
Plas e qeshura dhe përqafohemi si miq të vjetër”, shkruan Rama në platformën “Facebook”, teksa e shoqëron me një foto me Brok.
Pritet që rreth orës 11:15, të mbahet ceremonia e akordimit të çmimit “Charlemagne” për Ursula von der Leyen.