Për herë të dytë, Edi Rama takoi Rabinin Yoshiyahu Yosef Pinto, kësaj here publikisht dhe me një projekt. Qëllimi zyrtar i takimit sipas kryeministrit shqiptar ishte prezantimi i Shqipërisë si një model për vëllazërinë fetare, ku hebrejtë u morën në mbrojtje gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Një tjetër lëvizje e Ramës pas asaj të disa muajve më parë ku shpalli krijimin e shtetit të parë bektashi. Të dy vizituan Vlorën, atje ku shumë shpejt, pritet që të ndërtohet edhe një muze hebraik, detajet për të cilin ende nuk janë bërë publike.
“Me nder dhe përulësi pata privilegjin të mikëpres për herë të dytë Rabinin Yosiyahu Yosef Pinto në Shqipëri — një vend model i vëllazërisë fetare, ku hebrenjtë u morën në mbrojtje si askund tjetër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte një privilegj të vizitoja me të Vlorën, qytetin ku hebrenjtë u vendosën shekuj më parë dhe në zonën që dikur ishte lagjja e tyre, së shpejti do të fillojmë ndërtimin e një Muzeu të bukur Hebraik”, shkruan Rama.