Image 748 1024x574

Kryeministri Edi Rama paraqiti me kryenegociatoren Majlinda Dhuka këtë të hënë, 30 mars, një panoramë të negociatave me Bashkimin Europian, pasi sipas tij, opinioni publik duhet ta ketë një ide për gjithë kompleksitetin e procesit. Ky i fundit, theksoi që në krye të herës Rama, ka një ngarkesë të madhe.

“Ajo që vlen më shumë se të gjitha në këtë proces, përtej realizimit të një mase apo kalimit të një reforme dhe pastaj miratimit të saj në Bruksel është që ky proces rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit. Siç duket dhe nga prezantimi, procesi ka një dobi të jashtëzakonshme dhe është i pazëvendësueshëm me asgjë tjetër”, u shpreh numri një i kabinetit, duke shtuar se kjo gjë sjell pastaj forcim të shtetit ligjor.

“Patjetër konsolidon institucionet e drejtësisë që tani janë në fazë tjetër sepse kanë pavarësinë që s’e kanë pasur kurrë. Është edhe një luftë në frontin e modernizimit institucional dhe realizimit të një kapaciteti të të gjithë shtetit për të parandaluar korrupsionin.

Barrën më të madhe në këtë proces negociatash e ka ekonomia, por pastaj barra bëhet e qartë kur shikon se si shtrihet tek infrastruktura, energjia, financat, bujqësia e me radhë”, deklaroi më tej.

Veçoi edhe kontrollin financiar, ku aty progresi është i kufizuar. “Reforma është e domosdoshme, kemi nisur një punë paraprake”, njoftoi Rama.

E mbylli me “sfidën e sfidave”, që është siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit, duke nënvizuar rritjen e domosdoshme të inspektimeve.

“Reforma e inspektimit duhet të vazhdojë dhe është kyç drejtimi politik i saj nga të gjitha ministritë në sensin e mbrojtjes së saj nga ndërhyrjet partiake dhe qokat politike. Ka filluar me AKU-në, po shtrihet në inspektoriatet e tjera për të garantuar burime njerëzore cilësore.”

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights