Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një video-mesazhi live në rrjetet sociale këtë të mërkurë, ku foli lidhur me kërkesën e dy shoqatave të gjyqtarëve për paga më të larta.
Rama iu përgjigj deklaratës së një dite më parë nga Shoqata e Gjyqtarëve të republikës së Shqipërisë, se po linçohen publikisht, gjë që kryeministri e konsideroi të pavërtetë.
“Kuptova që ka patur disa emisione të mbrëmjes që janë marrë me këtë çështje dhe këto emisione të organizuara në mënyrë krejt të pavarur prej meje dhe në mënyrë krejt të natyrshme siç organizohen çdo mbrëmje dhe shumë prej të cilave nuk janë të mirëserdhura në aspektin përmbajtësor nga shumica qeverisëse, futet në gjuhën tipike të një politike të vjetër të ndasisë dhe urrejtjes, duke i përshkruar gjykatësit e Shqipërisë, si fushatë e imja, e kreut të këshillit të ministrave. Tani besoj se të gjithë e dinë çfarë është një fushatë, dhe sidomos kur e udhëheq unë me shokët e shoqet e PS, një uragan që merr përpara këdo kur është një betejë politike, por kjo nuk është fushatë dhe ne nuk kemi asnjë qëllim të bëjmë fushatë kundër gjyqtarëve. Dhe tani kjo që po bën kjo shoqatë është unikale në gjithë Evropën. Po kush jeni ju që i jeni vetes të bëni një gjë të tillë.”, tha Rama, i cili përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij se gjyqtarët e vendit tonë i kanë pagat mjaftueshëm të larta.
“Ju i keni pagat më të larta se paga e presidentit të Republikës, deputetëve dhe e ministrave dhe e kujtdo tjetër. Ca bëhet kështu?!”, janë fjalët e tij, ndërsa i mori me radhë të gjashta pikat e arsyetimit të shoqatës në reagimin e një dite më parë kundër tij.
Kreu i qeverisë tha gjithashtu: “Ju doni që kjo të jetë Republika e parë në planet, ku gjyqtarët paguhen si kastë më vete atje në qiell, ndërkohë ne këtu në tokë… Ja fjalë e vërtetë, ra edhe këmbana. Unë mendoj se kjo polemikë është e nxitur nga ju dhe ju duhet ta ndalni si polemikë. Unë si kryeministër i Shqipërisë, nuk ma hiqni dot as ju dhe askush të drejtën të flas dhe në emër të pavarësisë, paanësisë, ju nuk mund të kërkoni heshtjen time, pastaj me median merruni vetë se ata janë në punën e tyre. Unë shpesh nuk jam dakord, por është puna e tyre.”
Mes të tjerash kryeministri shprehu respekte për SPAK-un, duke qenë se nga ana e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka patur një kërkesë të ngjashme, apo ankesa të tilla mbi pagën.
“Shqiptarët duhet të dinë se ju kërkoni që për gjyqtarin e shkallës së parë paga të shkojë nga 3 mijë e 360 euro në 5 mijë e 300 euro, për të apelit nga 3 mijë e 480 euro që është sot, në 5 mijë e 500 euro. Ju kërkoni që paga në gjykatën e lartë të shkojë 5 mijë e 800 euro dhe të Prokurorëve të SPAK-ut, të cilët i veçoj se nuk i është bashkuar kësaj përpjekjeje absurde dhe respekte, për ta çuar pagën e vet 9 mijë e 800 euro. 3 mijë euro doni t’i rrisni vetes në muaj me një vendim gjykate.”, u shpreh ai, duke përsëritur ato çfarë kishte deklaruar më parë, që gjyqtarët në vendin tonë paguhen më shumë se sa në vendet fqinje si Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, dhe po aq sa kolegët e tyre në Greqi, që është një vend anëtar në Bashkimin Evropian.
“Pse SPAK dhe GJKKO kanë epërsi”
Rama shpjegoi gjithashtu se përse gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK-ut dhe GJKKO-së duhet të kenë përparësi para të tjerëve: “I është dhënë kjo epërsi Gjykatës dhe Prokurorisë Speciale për shkak të funksionit që ushtrojnë, dhe kjo është e përkohshme, sepse i është dhënë një mision strategjik. Ata njerëz gjenden në situata presioni edhe rrezikun për jetën për shkak se përballen me organizata kriminale, etj, etj. Po ju si e keni hallin?!”
Kreu i qeverisë u shpreh i irrituar me kërkesën, ankesën dhe arsyetimin e shoqatave të gjyqtarëve.
“Për cilën përbaltje kryeministrore, si guxoni ju të vendosni etiketime të tilla duke qenë arbitra?! Ndërkohë ju, me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese doni të jeni ligji dhe kjo është e vërteta. Si arrini ju në pikën të sulmoni publikisht qeverinë, kreun e Këshillit të Ministrave dhe ti akuzoni të gjithë për këtë histori. Më shikoni mua të axhituar. Normale që jam i axhituar. Ato 37 milionë euro që kërkoni t’i shtoni vetes ju, janë para që duhet të hiqen diku tjetër dhe ju merrni përsipër në sallën e gjyqit të jepni gjykime politike, për qeverinë, merrni përsipër të flisni për abuzime ndërkohë që duhet të paraqisni në sallën e gjyqit paanësi. Ju kërkoni t’i rrisni pagat vetes me gjyq.”, shtoi Rama.
Sa i përket pikës ku flitet për ulje fiktive të pagave të gjyqtarëve nga ana e Këshillit të Ministrave, Rama u kërkoi shoqatave të paraqisnin dokumente për këtë dhe të flisnin me prova, duke qenë se nuk janë një parti politike për të bërë deklarata publike të tilla, që ai i konsideron të pavërteta.
“Ju nuk jeni parti politike, për të dhënë opinione të tilla në publik, ju jeni gjykatës. Si mund të hidhni baltë mbi qeverinë e kësaj republike me këtë lloj retorike?! Dhe për më tepër flisni për zbritje fiktive të pagës referuese të bërë nga Këshilli i Ministrave.
Dhe thoni që ne jua paskemi përkeqësuar pozicionin financiar juve. Këto janë dokrra, nxirrni një dokument të përkeqësimit financiar se nuk jeni parti politike për të bërë deklarata publike, ato bëjini kur të keni realisht komente kur ju cënohet pozicioni.”, tha Rama, duke shtuar se qeveria e tij është treguar garante e pavarësisë së tyre.
Rama: Njëra shoqatë e pezulluar nga QKB, tjetra e paregjistruar
Përpos këtyre, kryeministri Edi Rama ngriti një akuzë të rëndë për dy shoqatat e gjyqtarëve që kanë bërë kërkesën në Gjykatë Kushtetuese për “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ndryshimit që iu bë ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ç’ka do t’i hapte rrugën rritjes së pagave për ta. Ai tha se dy shoqatat nuk janë në rregull para ligjit, pasi njëra rezulton e pezulluar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, për mos pagim të detyrimeve, ndërsa tjetra nuk rezulton fare e regjistruar.
“Ju jeni ata që përbaltni duke bërë deklarata të tilla publike si shoqatë dhe duke qenë se nuk kam dashur pikërisht, të merrem me asnjë aspekt personal jo e jo, prandaj s’kam përmendur as emra ndërkohë që ju më drejtoheni mua personalisht, por s’ka problem nuk e marr si personale, ju jeni fillimisht të paligjshëm si shoqata. Më kupton çfarë jeni ju? Jeni të paligjshëm dhe Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’iu kishte pranuar ju si palë sepse ju nuk respektoni dispozitat e ligjit, ju vetë për organizatat jofitimprurëse, se shoqatat janë jofitimprurëse, ndërkohë që ju shoqatat tuaja dhe kjo shoqata për të cilën po flas, është ngritur vetëm për të fituar lekë deri tani, nuk kam parë unë të bëni ndonjë gjë tjetër ju deri tani, por vetëm për të fituar para. Shko në Gjykatë Kushtetuese për të fituar para, për të rritur të ardhurat tuaja dhe shoqata e unionit, kjo që ka bërë gjithë këtë paçavure, është e pezulluar nga Qendra Kombëtare e Bizneseve, aty ku regjistrohen se nuk keni paguar detyrimet tatimore dhe nuk keni paguar kontributet shoqërore, ju si shoqatë, që dyshoj që keni një anëtarësi të gjerë, por gjithsesi.
Ndërsa shoqata tjetër, s’ishte fare e regjistruar në Qendrën Kombëtare, as te Tatimet, sipas detyrimit, i ka ligji këto detyrime dhe praktikisht duhet të ishte e çregjistruar se kështu thotë ligji! Dhe Gjykata Kushtetuese nuk i mori në konsideratë këto fakte se ju jeni subjekte si shoqata që nuk duhet të merreni fare në referencë sepse ju nuk jeni në përputhje me ligjin.
E kuptoni se ku jemi ne?! Dhe unë nuk mendoj që ju keni problem të regjistroheni, që keni problem të keni NIPT, që keni problem të paguani tatimet, që keni problem të paguani siguracionet, unë nuk mendoj këtë. Unë mendoj që jeni arrogantë. Keni një arrogancë të një pushteti që ju e trajtoni si një pushtet të pakufizuar, si pushtet të pakontrolluar, si pushtet të pakontrollueshëm dhe për këtë arsye, ndodhin dhe gjëra të tjera këtu në këtë vend, por nuk jam këtu për këto sot.”, deklaroi sot kreu i qeverisë.
Rama: Ne ju dhamë atë që kishit ëndërruar gjithmonë
Kryeministri mes të tjerash u shpreh se kjo qeveri për të cilën dy shoqatat ankohen është ajo që ka realizuar ëndrrën e tyre për pavarësi.
“Si mund ta fusni ju këtë në radhën e pretendimeve që keni nga kjo qeveri e poshtër e cila ka bërë një reformë historike, ka bërë atë që kolegët tuaj nga viti 2012 dhe deri kur u bë kjo reformë arriti atë që ju e keni ëndërruar gjithmonë por s’jua kanë dhënë, pavarësinë. Kjo qeveri ju ka dhënë pushtetin për t’i dhënë shqiptarëve pavarësisht statusit social, atë që shqiptarët e kanë ëndërruar dhe s’e kanë patur kurrë dhe jeni ju të parët që të shqetësoheni, për barazinë para ligjit.”, janë fjalët e tij.
Ky reagim i kryeministrit vjen pasi dy shoqata të gjyqtarëve i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar që pagat e tyre të indeksohen automatikisht sa herë rriten pagat në sektorë të tjerë shtetërorë, duke e konsideruar këtë si garanci kushtetuese të pavarësisë së gjyqësorit. Në datë 20 janar, në Gjykatën Kushtetuese u mbajt seanca lidhur me kërkesën e dy shoqatave. Por kryeministri Rama i ka konsideruar argumentet e paraqitura si të palogjikshme.
