Reforma e qeverisë për rritjen e pagave, që do të bëjë të mundur rritjen historike të pagave në sektorin publik, parashikon një rritje të konsiderueshme pagash në Policinë e Shtetit, në harkun e një viti, për punonjësit e të gjitha sistemeve të sigurisë, përfshirë edhe sistemin e Burgjeve.
Për të ndarë me punonjësit e strukturave përkatëse këtë lajm, si dhe për të shpjeguar detaje nga plani i qeverisë, Kryeministri Rama, së bashku me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja zhvilluan një takim në Akademinë e Sigurisë.
Kryeministri Rama shpjegoi se rritja e pagave do të realizohet në dy etapa, në harkun e një viti, nga ku do të përfitojnë 12120 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, si dhe 3566 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve.
“Në vitin e parë, pra rritja e menjëhershme e pagës për ju që jeni në këtë sistem nga ku do të përfitojnë 12120 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, si dhe 3566 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve do jetë pak a shumë si vijon. Kini parasysh dhe ju e dini shumë mirë, që paga e çdo niveli nuk është njësoj për të gjithë në atë nivel sepse ka vjetërsi pune ka dhe disa kushte të tjera. Gjithsesi unë po flas këtu për pagën e nivelit.
Pra, sot paga e drejtuesit madhor është 139 375 lekë dhe bëhet sot, me 48 125 shtesë mujore, shkon në 187 500 lekë. Për drejtuesin më poshtë drejtuesit madhor shtohet me 24 125 dhe bëhet 137 500, për komisarin shtohen 21 mijë lekë, gjithmonë me të reja, pra 211 mijë lekë në këtë rast dhe shkon 112 500. Për inspektorin e parë shtohet edhe këtu, me 20 445 dhe shkon në 97 500”, theksoi Rama.
Më tej kryeministri Rama u shpreh se “e pashë të arsyeshme të vija tua thoja vetë edhe që në njëfarë mënyrë t’iu mbrojmë nga lajmet e rreme dhe disinformimi. Ju të gjithë e keni përjetuar një rritje page vitin e shkuar, ju kemi thënë që është një rritje page që do të vazhdojë dhe tani jemi bërë gati për një rritje page të konsiderueshme.
Është, në fakt, rritja më e madhe historike e pagave si rezultat të krijimit të një mundësie për ta përballuar këtë dhe me këtë rast dua t’iu them të gjithëve që punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit, oficerët në të gjithë sistemet e sigurisë, përfshirë edhe sistemin e Burgjeve, patjetër që kanë merituar më shumë dhe patjetër që meritojnë më shumë dhe kjo është vetëdija jonë”.
“Asnjëherë nuk e kemi vënë në dyshim që shpërblimet që i kemi rritur herë pas herë nuk janë të mjaftueshme, por besoj që çdo njeri i arsyeshëm e kupton që shpenzimet në një shtëpi varen nga mundësitë dhe një shtëpi që nuk do të zhytet në borxhe dhe pastaj të mbetet pa çati, i balancon të dyja sa të mundet, siç bëni ju në shtëpitë tuaja. Sot jemi në kushtet kur siç thashë, mund ta bëjmë këtë rritje të konsiderueshme të pagave. Ju, jam i bindur, keni dëgjuar për sektorët e tjerë dhe rritja do të bëhet me dy hapa, do të zbatohet një pjesë tani dhe një pjesë si sot një vit, pra në harkun e një viti”, tha Rama.

