Image 170 1024x683

U prezantua sot, 3 shtator, nisma për krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit. Kryeministri, Edi Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thanë se OPU mund të jetë gati për operim më 1 janar 2026.

“Sot me publikun do ndajmë një hap të rëndësishëm që do të hedhim së shpejti, lidhur me krijimin e Operatorit Kombëtar të Shpërndarjes së Ujit. Kemi pasur një trashëgimi shumë dramatike në sektorin e ujit, që kërkon investime të mëdha dhe administrim të përgjegjshëm”, deklaroi Rama në nisje të konferencës.

“Borxhet e larta, paaftësia në menaxhim e lidhur shumë edhe me politizimin ekstrem në këto ndërmarrje dhe mungesa e ekspertizës e shoqëruar me mungesë të investimeve në mirëmbajtje sollën situata shumë të pajustifikueshme”, tha kreu i qeverisë për kompanitë e ujësjellësit në vend.

“Po të shohësh hartën sot nga katër zona që furnizoheshin me ujë në 2013-ën dhe humbjet në rrjet që shkonin deri në 70%, kemi një panoramë terësisht ndryshe, por ama në raport me atë që ishte”, shtoi ai duke bërë një krahasim të situatës në këtë sektor që prej marrjes së pushtetit.

Mori Vlorën si shembull, duke theksuar se sot, “kapaciteti për furnizim i pamjaftueshëm dhe niveli i papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë në nivel vendor është i frikshëm“.

“Raporti për situatën si u menaxhua në Vlorë është i frikshëm. E mora si rast sepse është ndër pikat më atraktive në turizëm. Borxhet e akumuluara nga këto ndërmarrjet të administruara në papërgjegjshmëri ekstreme, 13.6 mld arriti në 2020-ën. Harxho, shpërdor, dridh zinxhirin dhe ngarko kompaninë e shpërndarjes së energjisë me borxhe”, deklaroi kryeministri.

Faza e parë e reformës, 100 mijë përdorues të rinj

Ai bëri me dije se në fazën e parë të reformës, ka pasur 100 mijë përdorues të rinj në rrjet dhe janë prerë një numër i konsiderueshëm lidhjesh të paligjshme. Sipas tij, nëntë nga 15 shoqëri rajonale të ujësjellësit nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE-së.

“Njerëzit nuk pinë decentralizim në rubinet, pinë ujë, duan ujë dhe decentralizimi nuk është fragmentim dhe shkatërrim, por është përgjegjshmëri dhe shërbim. Sot kemi nëntë shoqëri rajonale nga 15 që nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE-së. Është një hap i jashtëzakonshëm, pa diskutim. Patjetër që ka përmirësim të eficiencës që do ta përmendë ministrja, por ka një pikë ku duhet të ndalemi dhe ku është thelbi i reformës. Uji në qiell është diçka tjetër, në rubinet është diçka tjetër, sepse në momentin kur hyn në ekosistem, kthehet nga prodhim i natyrës në prodhim të njeriut. Është mall që përpunohet, shpërndahet, shitet dhe blihet. Është mall jetik dhe prodhimi i ujit kërkon përpunim kombëtar

“Puna” e bashkive do i kalojë OPU-së, burg për atë që vjedh ujin

Kreu i qeverisë tha se me ujin do veprohet njësoj si me sektorin e energjisë elektrike, duke paralajmëruar masa të ashpra ligjore për këdo që abuzon.

“Të garantojmë suksesin që garantuam me energjinë elektrike! Njësoj siç bëmë me energjinë, ka ardhur koha që me këtë Operator, do jetë sinergjia e 15 shoqërive ekzistuese dhe me organet e tjera ligjzbatuese, do vendoset vija e kuqe mes atij që paguan dhe atij që vjedh, gjë që fatkeqësisht nuk e bënë bashkitë deri më sot! Ai që vjedh ujin duhet të penalizohet me heqje lirie!”, u shpreh kryeministri

Hiqen depozitat, lavazhet në “shënjestër”

Ai tha se në këtë sektor nuk janë qytetarët ata që abuzojnë, por të tjerë me qëllim fitimin, duke përmendur si shembull lavazhet nëpër lagje.

“Kjo është koha për të nisur punë me heqjen e depozitave që janë kthyer në pesha të jashtëzakonshme në palate të ndërtuara ku e ku më parë e që larg qoftë mund të bëhen burim katastrofash, por hap pas hapi”, tha kryeministri duke shtuar se kjo gjë do përmirësojë furnizimin me ujë.

“Hyrja në BE kërkon që ne të arrijmë në 2030-ën një krahasueshmëri të arsyeshme në furnizimin me ujë të popullsisë sa i përket standardeve europiane”, shtoi ai.

Burimet e ujit janë të Republikës”

Sipas kryeministrit të vendit, Edi Rama, në këtë vend nuk ka “njerëz me fat apo të pafat”, kur vjen puna te shfrytëzimi i burimeve ujore. Këto të fundit, sipas tij, i përkasin vetëm Republikës së Shqipërisë.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë që burimet ujore të Shqipërisë nuk janë të atij që i ka më afër, janë të Republikës së Shqipërisë. Në këtë vend nuk ka njerëz me fat që e kanë ujin afër apo të pafat që e kanë larg, ndërkohë që siç ua kam shpjeguar banorëve të Tragjasit, nuk ekziston në asnjë botë tjetër, përveç në atë të fantazive politike apo mediatike, rreth tryezës duke pirë raki, që qeveria t’i marrë ujin disave për t’ua dhënë disave. Kjo nuk ekziston”, deklaroi numri një i kabinetit.

Iu dha një përgjigje edhe kritikave lidhur me lumin Vjosa, Tragjasin, Shushicën apo burime të tjera ujore në vend.

“Prioriteti i prioriteteve është furnizimi me ujë i popullsisë. Nuk ka asnjë rast tendencë për të tharë!”, tha Rama.

Në plan, Operatori i Trajtimit të Mbetjeve

Pas krijimit të OPU-së, radhën e ai i Trajtimit të Mbetjeve, një problem tejet shqetësues sipas Ramës. Nuk kurseu ironitë për shqiptarët që hedhin mbetjet vend e pa vend.

“Do fokusohemi tani tek faza tjetër e reformës. Ka qenë e nevojshme të kalonin këto faza, nuk mund të bëhej me nje kolpo të vetme. Pas Operatorit të Ujit, kalojmë në krijimin e Operatorit Kombëtar të trajtimit të Mbetjeve, bashkitë do i mbledhin dhe Operatori do i trajtojë.

Është e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë se në këtë proces, të furnizimit me ujë, të trajtimit të mbetjeve dhe rritjes së sipërfaqes së gjelbër është ana e mirë dhe ka një anë të errët që ka të bëjë me të gjithë ata që vjedhin ujë, apo hedhin plehrat në rrugë.

E bëjnë shqipot se turistët e huaj nuk e bëjnë, e bëjnë shqipot që lëvizin me makinë, shqipot e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, që ndalojnë në anë të autostradës, bëjnë fotografi dhe marrin plehrat e i hedhin aty. Se i kemi fotografuar. Edhe pikë panoramike, edhe pikë plehrash. Edhe fotografi me perëndimin e diellit edhe shishet e birrës të hedhura në tokë ‘Mirupafshim Shqipëria ime, shihemi verën tjetër’. Këto janë situata që kanë nevojë për solidaritet dhe masa drastike nga ana e qeverisë, por dhe ndërgjegjësim dhe rritje të kontributit të njerëzve”, mbylli kështu fjalën e tij Rama.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights