Kryeministri, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama çeli sot fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 majit në Pogradec, ku prezantoi, për të kandiduar për një tjetër mandat, kryebashkiakun aktual Ilir Xhakolli.
“Këtu është një tjetër ndalesë e këtij rrugëtimi drejt 14 majit ku përsëri janë punët, veprat, faktet përpara syve të të gjithëve që flasin më mirë se sa të gjithë ne së bashku. Kjo është e para fushatë që unë mbaj mend ku nuk flasim më për ujin e pijshëm, ashtu sikundër në fushatat e tjera. Jo se e kemi përfunduar të gjithë projektin e madh të ujit të pijshëm në të gjithë Shqipërinë, por sepse tanimë uji i pijshëm është i disponueshëm për shumë më tepër familje se ndonjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se në Pogradec ka mbetur vetëm një komunë, Trebinja, ku po punohet dhe është në kantier ujësjellësi.
Gjithë pjesa tjetër, tha Rama “ka ujë të pijshëm 24 orë”.
Kryeministri theksoi se, “kjo kjo është një arritje historike e rëndësishme, po të kemi parasysh se nga u nis kjo punë”.
“Sot, falë punës këmbëngulëse të kryetarit të bashkisë dhe mbështetjes që ne i kemi dhënë vijimësisht, Pogradeci nuk ka problem më me kanalizimet. Më në fund, pas dekadash të tëra nuk ka më ujëra të ndotur që derdhen në liqen, ku shtrihet një nga pasuritë më të mëdha të këtij komuniteti dhe që është shtysa më e fortë këtu për të investuar edhe më shumë për ta bërë Pogradecin edhe më shumë destinacion turistik dhe rritur ekonominë e familjeve falë turizmit”, tha Rama.
Kryeministri informoi se, është në proces një projekt i madh prej 15 milionë euro, i cili është në kantier në gjithë zonën e Drilonit.
“Kemi projektin tjetër që e kemi financuar dhe tanimë është në fazën përmbyllëse të kontratës për shëtitoren buzë liqenit të Pogradecit, një projekt që do ta transformojë Pogradecin njësoj si Lungomare Vlorën”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, ka po ashtu një sërë projketesh të tjera që përfshijnë pejsëza të qytetit ku është ndërhyrë në të gjitha rrugët.
“Kemi akoma një borxh për të shlyer ndaj zonës së Mokrës dhe Gorës, ku ka jashëzakonisht shumë potencial për zhvillimin e turizmit dhe ku ende mungon infrastruktura e nevojshme për t’i dhënë hov turizmit, agroturizmit dhe gjithë ekonomisë së zonës”, theksoi Rama.

